Martin Camaj përherë me ne
Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë. Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës.
Botojmë sot për herë të parë bisedën në një talk-show të Televizionit Austriak, në Mars 1991 ku Camaj ndodhej përballë një ambasadori që mbronte vijën e PPSH-së
Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do të kishte mbushur 85 vjeç. Një moshë e zakonshme mund të thuash për malësorët e tij të Dukagjinit, sidomos për një njeri aq të përkorë si profesori i Mynihut. Por sëmundja e rëndë që i qe shfaqur që para se të mbushte të 65-at i rrëmbeu jetën më 12 mars 1992.
Ai e dinte shumë mirë që do të vdiste, edhe kur jemi takuar për herë të parë në Innsbruck në shkurt të vitit 1990, mandej shumë herë e ka tematizuar vdekjen në poezinë e tij (Kur të vdes më mbështillni me tesha të leshta/sikurse ishte dokja ndër të parët e mi) ndërsa vitet e fundit ndërtoi me të një parabolë të tërë në formën e një cikli poetik, për mendimit tim nga më të mirët në gjithë veprën e tij: Palimpsest".
Takimin e parë me Camajn e kam përshkruar edhe në raste të tjera. Ai erdhi në Innsbruck me shpresën që një poete lokale e atyshme të lëmonte do përkthime të dobëta nga shqipja të poezive të tij.
Unë isha duke mbyllur studimet e mia në atë qytet. Na e ndërmjetësoi takimin albanologu i Innsbrukut Hermann Oelberg, njeri që kishte mbledhur në bibliotekën e Institutit të tij shumë literaturë subversive për Shqipërinë e që kërkonte me të herë pas here të më thyente frikën.
Subversive në pikëpamje letrare ishte vepra e Camajt, e plotë në vëllime të mëdhenj të bukur me ngjyra të thekshme nën motivet e Gjelosh Gjokajt, e vështirë për t'u depërtuar me skemat që kishim ne në kokë aso kohe lidhur me vlerat dhe hierarkitë në letërsinë shqipe. Por një herë që të kishte pushtuar magjia e gegnishtes dhe poezisë së tij, ajo nuk të lëshonte më.
Misteri që fshihej në shumë nga ato poezi, abstragimi i tyre i lartë, të bënte t'i ktheheshe e riktheheshe si ndonjë gote magjike me verë që mbushet vetiu. Ishte një botë gjithë ngjyra që nuk pranonte emërtime të caktuara, si mëngjese të largëta fëminie ku gjithë sendet dhe njerëzit përreth kanë kuptim të thellë e të vërtetë.
Vetë Camaj ishte tejet i përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit. Zëri ishte tejet melodioz, dukej nganjëherë sikur fliste me kantilenë, e nuk e di si këndonte por do çuditesha sikur të mos këndonte bukur me atë zë dhe nuancat e holla që shqiptonte. Sidomos gjermanishten e kishte të kulluar, fjalët të nyjëtuara saktë me një tingëllim Shkodre për të cilin më duket ishte krenar.
Ashtu sikurse Bogdani erdhi në Shkodër për të lëmuar kosovarishten e vet ("m'anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhee të Shkodërsë") edhe Camaj kishte marrë tingëllimet më të bukura të qytetit të tij, ku pat zbritur dikur fëmijë nga Temali i Dukagjinit për t'u shkolluar në kolegjet e jezuitëve.
Për çudi atë ditë të ftohtë dimri një numër fjalish në shqip i linte të pambaruara, kalonte prej një teme te tjetra, a thua se e nguste diçka ose pse e ndjente pamundësinë që në kohën e mbetur të kumtonte të gjitha sa donte (midis nesh 45 vjet mungesë komunikimi).
Erika e shoqja, ndërhynte herë pas here për ta sjellë te tema për të cilën kishin ardhur. Unë në fillim, nën ndikimin e sa e sa romaneve si Armiqtë ose Mërgata e korbave e kushedi sa filmave të Kinostudios Shqipëria e Re, e ndjeja që kisha përballë armikun klasik (aq më shumë që Camaj shtatlartë kishte veshur një pardësy të çelët dhe e kishte ngritur jakën mbi qafë ngaqë në luginën e Innit frynte erë e fortë).
Por tundimi për ta njohur ishte shumë më i madh se frika, e pastaj kur sheh se ky njeri merret me kulturë dhe poezi të rafinuar dhe jo me diversion, skemat e Kinostudios kthehen në libra për fëmijë të prapë.
Në dy vjetët që do të kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti një rol të jashtëzakonshëm në jetën tonë.
Ai ishte shembulli i gjallë i qëndresës në fushën e kulturës, vijuesi i një tradite të pandërprerë në poezinë shqipe të variantit geg që megjithatë kishte hyrë në terrene të pashkelura më parë nga krejt poezia jonë, duke u afruar me motrat më avangarde në kontinent, pa e humbur karakterin e saj shqiptar, përkundrazi me rrënjë shumë të forta në mitologjinë dhe mënyrat shprehëse të Veriut. Camaj ishte shembulli i gjallë edhe i qëndresës në gjuhë.
Ndërsa të tjerët luftonin me pamflete ose teorizime që nuk i dëgjonte njeri, ai e tregoi me vepra të shumta në poezi, në prozë ose dramaturgji se një traditë aq e gjatë letrare nuk mund të vdesë brenda një brezi, edhe pse për këtë qe vendosur më 1972, në kushtet e diktatit nga lart, prej shumicës së përfaqësuesve të asaj që ishte kultura zyrtare e kohës.
Këtë qëndresë ai e zhvilloi edhe në shinat e dijes, me monografi e gramatika të ndryshme, sikurse në Albanian Grammar të tij ku e analizon gjuhën shqipe në tri koinetë kryesore të saj: gegënisht, toskërisht e arbëresh.
Pak për t'u habitur sot, kur Camaj pranohet nga gjithë përfaqësuesit me peshë e me poste të gjuhë-letërsisë shqiptare, kjo anë e personalitetit të tij lihet në heshtje, madje Camaj ngrihet lart më fort nga të gjithë pikërisht prej atyre që nuk duan as t'i dëgjojnë termat gegënishte ose variant letrar geg.
Camaj pati për ne një rol të veçantë edhe si frymëzues për njohjen dhe përhapjen e kulturës së panjohur ose deri më aty të ndaluar shqiptare në Shqipëri.
Në qershor 1991 krijuam Lidhjen e shkrimtarëve e intelektualëve të pavarur "Albania" që e pati pikërisht këtë si synim kryesor të saj: në disa botime të atyre viteve si "Shqipëria zgjim i dhimbshëm", "Libertas", "Quo vadis Shqipëri" etj.
Martin Camaj dhe Arshi Pipa ishin nga kontribuesit kryesorë. Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit:
"Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.
Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj."
Në ditët që pasuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë jemi takuar me Camajn në studion e Klub 2, një nga talk-show kryesorë të Televizionit Austriak. Ishin ftuar këtu gjithashtu historiani M. Schmidt-Neke, gazetaria Ch. von Kohl, ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Vjenë, zëdhënësi i Partisë Demokratike Genc Pollo.
Camaj u tregua edhe këtu i qetë e i matur, megjithë ndërhyrjet e vrazhda e provokuese të ambasadorit që mbronte natyrisht vijën e PPSH e që arriti deri aty sa t'i thoshte tërthorazi Camajt se i paskej duart e lara me gjakun e popullit.
Apo ndoshta Camaj u tregua i përmbajtur se mendonte që mund të hakmerreshin ndaj familjes së tij në Temal, ndaj të vëllezërve Gjergj e Zef që jo pak kishin vuajtur qysh prej arratisjes së tij më 1948? Midis Camajt dhe ambasadorit botë kulture.
Mjaft të vëreje gjermanishten e latuar me kantilenë Shkodre të profesorit dhe fjalitë e rrëmujshme të tjetrit për të bërë dallimin. Sidoqoftë nxora nga kaseta e emisionit të atëhershëm ato fragmente ku ka folur Martin Camaj dhe dialogun që është zhvilluar mes të dyve:
Nga emisioni për Shqipërinë në Klub 2 të Televizionit Austriak, më 2 mars 1991:
Moderatori: Cili është versioni juaj, zoti ambasador [për rrëzimin e monumentit]?
Ambasadori: Unë përfaqësoj këtu si ambasador një shtet dhe një qeveri. Dëgjova këtu çfarë thanë dy zotërinjtë, zoti Klosi dhe zoti Pollo, për mua nuk është asgjë e re.