E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH publikon guidën e Maturës

Për t'u ardhur në ndihmë maturantëve, për t'u informuar për provimet e maturës shtetërore, MASH publikon Guidën e maturës. 

Zirina Llambro

Një material të plotë prej 70 faqesh, ku përmbahen të gjitha udhëzimet dhe rregullat e provimeve dhe çdo kandidat mund ta gjejë në faqen zyrtare të ministrisë. Gazeta publikon pjesë të kësaj guide. Në të janë përfshirë sqarimet për datat e provimeve në të gjitha shkollat e mesme, Rregullorja e Maturës Shtetërore 2008, sqarime për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, dhe sqarimet për mënyrën e regjistrimit si kandidat në shkollat e larta. Gjithaq, maturantët mund të gjejnë edhe programin e punës për Këshillimin për Karrierën, (pikët minimale) që do t'u vinë në ndihmë për të fituar universitetin. "Kjo përmbledhje  shërben  për të bërë një zgjedhje më të mirë të programeve të studimit, sipas preferencave personale të nxënësve", bën me dije Ministria e Arsimit.
Provimet
Maturantët do ta mbyllin vitin shkollor më 30 maj. Provimin e parë të detyrueshëm (letërsia dhe gjuha shqipe) nxënësit  e shkollave të mesme të përgjithshme do ta japin në datën 9 qershor. Testimit të matematikës do t'i nënshtrohen më 17 qershor, ndërsa lëndët me zgjedhje në të gjithë vendin do të jepen në datën 10 korrik. Ministria ka publikuar data të veçanta edhe për kategoritë e tjera të shkollave të mesme, ku përfshihen ato të gjuhëve të huaja, teknike-ekonomike, teknike-profesionale apo dhe shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin. Nga sa përcaktohet edhe në guidë, maturantët që kanë dhënë vjet provimet me zgjedhje dhe nuk janë regjistruar në asnjë prej shkollave të larta, duhet t'i ripërsëritin ato.
Testet
Testi për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që do të vlerësohen në total me 13 pikë nëse janë të sakta dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse maturanti nuk gabon për këtë kategori përgjigjesh do të marrë 37 pikë. "Për çdo provim të detyruar, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë. Sakaq, testet e provimeve me zgjedhje do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 me alternativa dhe 10 pyetje me zhvillim. Për secilin prej tyre, kandidatët për në shkollat e larta duhet të grumbullojnë maksimalisht 40 pikë. Kjo pasi, sipas udhëzimit në test i është dhënë prioritet pyetjeve me zhvillim, të cilat nëse kanë përgjigje të sakta do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa ato me alternativa në total kanë 10 pikë. Pra për të njëjtin numër pyetjesh raporti i vlerësimit është 3 me 1. Sa i përket kohëzgjatjes, është përcaktuar që në dispozicion të maturantëve për secilin nga provimet e detyruara të jenë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa për provimet me zgjedhje, ndryshe nga vjet, për plotësimin e testeve kandidatët për në shkollat e larta do të kenë 4 orë kohë. Dy lëndët me zgjedhje që janë vendimtare për t'u pranuar në shkollat e larta do të jepen në të njëjtën ditë. Këtë vit përjashtohen automatikisht nga Matura Shtetërore mbetësit në një nga lëndët e gjimnazit. Provimet e detyruara ata mund t'i japin në vjeshtë, por nuk kanë shansin për të nisur këtë vit një shkollë të lartë, pasi lëndët me zgjedhje jepen vetëm një herë në vit në të gjithë vendin. Nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 kanë marrë notë kaluese vetëm në njërën nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë edhe këtë vit dhe nuk e jep sërish këtë lëndë, por vetëm atë ku ka rezultuar mbetës.
Penalizimet
Edhe këtë vit penalizmi për të gjithë maturantët, që thyejnë rregullat e provimit do të jetë i njëjtë me vitin që kaloi. Kështu, nëse gjatë provimit ata kapen me kopje, automatikisht u hiqet e drejta për një vit e kandidimit në shkollë të lartë. Në ambientet kur do të jepet provimi nuk do të lejohet mbajtja e  celularëve, ndërrimi i vendeve të përcaktuara nga administratorët, apo largimi nga mjedisi i provimit pa realizimin e procesit të sekretimit. Gjithashtu, nga sa është përcaktuar në rregulloren e maturës nuk duhet dëmtuar bar-kodi personal. Ministria ka vendosur të jetë më dorëlëshuar me penalizimet, duke hequr përfundimisht dënimin në vitin e parë të aplikimit të saj, kur në rast kopjimi kandidati mbetej 3 vite pa shkollë të lartë.

Shembuj : Çfarë dege do të zgjedh?

SHEMBULL 1

Drita dëshiron të konkurrojë për programin e studimit Farmaci në Universitetin e Tiranës. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar, në profilin natyror dhe ka notën mesatare të katër viteve M = 8.

Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:
1. Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe D1 = 8.52
2. Në Matematikë D2 = 8.5
Ajo ka zgjedhur të japë si provime me zgjedhje lëndët Fizikë dhe Biologji, ku pretendon të marrë këto rezultate:
1. Në Fizikë Z1 = 9
2. Në Biologji Z2 = 8.7

Në Tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për programin e studimit Farmaci, profili natyror i shkollës së mesme e ka koeficientin Ksh = 1.4.

Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:

[D1 (nota në Gjuhë Letërsi) + D2 (nota në Matematikë) + M (Nota mesatare e shkollës së mesme)] x Ksh (koeficienti i shkollës) = (8.52 + 8.5 + 8) x 1.4 = 25.02 x 1.4 = 32.20

Në tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për provimet me zgjedhje koeficientet janë:
Për lëndën Fizikë K1 = 1.3. Për lëndën Biologji K2 = 1.3.

Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:
Z1 (nota në Fizikë) x K1 (koeficienti për Fizikën) + Z2 (nota në Biologji) x K2 (koeficienti për Biologjinë) = 9 x 1.3 + 8.7 x 1.3 = 11.7 + 11.31 = 23.01

Drita mbledh dy rezultatet e gjetura: 32.20 + 23.01 = 55.21. Këtë rezultat e shumëzon me 100 dhe merr 5521.0 pikë.
Pra, Drita është në kuotën e 5500 pikëve.
Dëshira e Dritës është të ndjekë programin e studimit Farmaci.
Nga tabela e fituesve të fundit, të vitit të kaluar, Drita shikon se fituesi i fundit në Farmaci është me 5799.3 pikë. Në këtë rast, vendosja e programit të studimit Farmaci si preferencë e parë, do të thotë që mundësitë e shpalljes fituese janë të pakta.

Si duhet të veprojë Drita për të vendosur preferencat?
Mendojmë se Drita e vendos programin e studimit Farmaci si preferencë të parë dhe me këto rezultate nuk fiton. Ka dhe 9 preferenca të tjera për të zgjedhur, që është mirë t'i plotësojë, pasi janë 9 mundësi që nuk duhet t'i humbë.

Cilat të zgjedhë?
Nga rezultatet e vitit të kaluar (tabela e fituesve të fundit), ajo shikon se me 5500 pikë janë në grupin e fituesve (i fundit ka më pak se 5500 pikë) kandidatët që kanë kërkuar të gjitha programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç programeve të studimit Mjekësi (i fundit me 5721.4 pikë), Stomatologji (i fundit me 5857.5 pikë), Farmaci (i fundit me 57993 pikë).
Atëherë, Drita mund të rendisë në 9 preferencat e tjera cilëndo nga programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç tre të mësipërmeve. Por, edhe këtu duhet pak kujdes. Në të nëntë preferencat Drita renditet si fituese, por përcaktohet fituese në preferencën më të lartë, pra në preferencën e dytë. Nëse në këtë preferencë ka shënuar një program studimi që nuk e ka për zemër, këtë duhet ta mendojë mirë.

SHEMBULL 2

Agimi ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme (03), me një notë mesatare të shkollës së mesme M = 6. Në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje, rezultatet e tij janë rreth notës 6. Pasi bën llogaritjet, si në rastin e Dritës, me koeficientet përkatës të tij, mendojmë se arrin në rreth 3200 pikë.

Si do ta këshillonim Agimin të plotësonte preferencat e programeve të studimit?
Duke u orientuar nga tabela e pikëve të fituesit të fundit për çdo program studimi, Agimi nuk duhet të vendosë në preferenca, programe studimi, ku fituesi i fundit ka më shumë pikë se 3200.
Nëse ai plotëson të dhjetë preferencat me programet e studimit si: Juridik, Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Histori, Anglisht, Psikologji, Shkenca Sociale, Inxh. Informatike, Inxh. Elektronike, është e sigurt se Agimi nuk fiton në asnjë nga këto preferenca, pra, nuk fiton të drejtën për të studiuar në universitetet publike.

Po çfarë duhet të zgjedhë Agimi?
Ai duhet të zgjedhë ato programe studimi, ku fituesi i fundit ka më pak se 3200 pikë. Duke zgjedhur në të dhjetë preferencat këto lloj programesh studimi, ai ka mundësi që të shpallet fitues në njërën prej tyre. Pra, Agimi jo vetëm duhet të marrë në konsideratë dëshirën e tij, por dhe arritjet që ka.

Përjashtimi nga provimi

Ditën e provimit nxënësi/kandidati përjashtohet ose nuk i njihet rezultati i provimit, në qoftë se nuk është i pajisur me dokument identifikimi, si certifikatë personale me fotografi, apo nuk qëndron në vendin që i caktohet. Gjithashtu, e njëjta masë merret kur nxënësi përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër, bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, largohet nga mjedisi i provimit pa kryer procesin e sekretimit. Në rastin kur merret një masë e tillë  dhe  nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të
provimit e informon atë mbi mosnjohjen e
rezultatit dhe lejon vazhdimësinë e provimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›