E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie qarkullimi i A/H1N1, por rastet e rënda nuk mungojnë

Gripi i derrit
 

 
Pritet që në muajin shkurt të ketë një qarkullim të ri të pandemisë dhe rastet e të prekurve të shtohen
 
 
Marsel LELA
TIRANë - Situata e përhapjes së gripit të derrit që qarkullon prej muajsh në vendin tonë, i cili ka shkaktuar edhe viktima, duket se po shkon drejt stabilizimit. Të paktën kështu raportojnë specialistët e sëmundjeve infektive të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas këtyre raportimeve të përditshme të situatës së qarkullimit të virusit vdekjeprurës, qarkullimi i gripit A/H1N1 ka pësuar rënie. Megjithatë, nuk mungojnë as rastet e përditshme të personave të infektuar nga ky virus.
Mjekët japin lajme të mira për një grua shtatzënë, e sëmurë me gripin e tipit A, e cila ka dalë tashmë nga rreziku për jetën. Pacientja mbahej në terapi intensive në spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”.
Nga ana tjetër, edhe pse raportet e specialistëve tregojnë për një rënie të qarkullimit të virusit vdekjeprurës në vend, rastet e rënda të infektuar ky virus nuk mungojnë. Mjekët bëjnë të ditur se janë edhe dy raste të tjera të prekur nga gripi i derrit, të cilët aktualisht ndodhen në rrezik për jetën.
Pacientët e prekur nga gripi, të cilët kanë shfaqur komplikacione, po marrin terapi intensive pranë pavijoneve të shërbimeve të specializuara në sanatorium, ndërkohë që të tjerë paraqiten për analiza apo konsulta në shërbimet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Ata më pak problematikët mbahen nën vëzhgim në dhomat e shtrimit, ndërsa të tjerët, të cilët shfaqin komplikacione më të rënda, futen në terapi intensive, intubim apo oksigjen “artificial”.
Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, virusi i gripit të derrit do të pësojë rënie të qarkullimit të tij gjatë kësaj periudhe, por pritet që në muajin shkurt të ketë një qarkullim të ri të pandemisë dhe rastet e të prekurve priten të jenë më të shumta.
Kjo situatë, sipas specialistëve, do të jetë më e rënduar gjatë muajit shkurt, ku nuk përjashtohen edhe rastet fatale.
Në përkeqësimin e situatës shëndetësore që favorizon virusin e gripit të derrit ndikon ulja e temperaturave dhe qarkullimi i gripit sezonal. Vala e parë e të prekurve në vendin tonë nga virusi i tmerrshëm u shënua gjatë muajit nëntor të vitit që lamë pas, dhe ashtu siç u prit, situata nisi të përkeqësohej qysh në fillim të muajit janar.
Ministria e Shëndetësisë sjell në vëmendje, se rrezikshmëria e infeksionit të virusit pandemik është veçanërisht e lartë te personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe gratë shtatzëna.
Kjo ministri këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe veçanërisht të sëmurët kronikë, të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist, në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë.
 
 
Personat më të rrezikuar nga A/H1N1
1.         Të sëmurët me zemër
2.         Të sëmurët me bronkopneumoni
3.         Pacientët me probleme kronike në mushkëri
4.         Pacientët e prekur nga tumoret
5.  Gratë shtatzëna
 
 
Këshillat antigrip
1.         Të mënjanohen kontaktet me njerëzit e sëmurë
2.         Në rast se jeni të sëmurë, qëndroni në distancë nga të tjerët, për t’i mbrojtur ata
3.         Qëndroni në shtëpi dhe evitoni daljen nëse jeni të sëmurë
4.         Lajmëroni menjëherë mjekun
5.         Mbulojeni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini
6.         Mos pështyni në tokë
7.         Shamitë e mbështjella hidhni në koshin e plehrave
8.         Lajini sa më shpesh duart me ujë e sapun
 
 
 
Pandemia vdekjeprurëse
 
Situata në shifra, të prekurit dhe rastet fatale që la pas virusi i tmerrshëm
 
TIRANë - Gripi i derrave që ka shënuar deri tani 12 viktima në vendin tonë, vazhdon të godasë në mënyrë fatale. Muaji dhjetor i vitit që lamë pas ka shënuar deri tani numrin më të madh të të prekurve nga virusi i gripit A/H1N1 dhe ka rritur edhe numrin e viktimave. Pandemia e virusit vdekjeprurës që pushtoi tërë botën ka qenë një ngjarje që tronditi mjekësinë shqiptare, por edhe shoqërinë gjatë vitit që shkoi.
Ndërkohë, përveç 12 viktimave që ka lënë pas, gripi i derrit shënon në vendin tonë mbi 420 të infektuar.
Një pjesë e viktimave të shkaktuara nga ky grip kanë qenë të rinj, dy prej të cilëve edhe dy nëna shtatzëna në muajin e tetë, ndërsa tjetra një shtatzënë, e cila priste dy binjakë. Sipas mjekëve, kemi një ulje të numrit të të infektuarve nga virusi A/H1N1, duke marrë parasysh ritmin me të cilin është rritur ky numër në dhjetor të 2009-ës. Sipas mjekëve, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë të më rrezikuarit për jetën nga virus  tipit A. Viktimat e tjera të shënuara nga gripi i derrit kanë qenë më parë të diagnostikuara nga sëmundje të rënda, si zemra apo mushkëritë. Deri në datën 22 dhjetor, numri i personave zyrtarisht të infektuar në vendin tonë kap shifrën e rreth 400 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se janë marrë deri në datën 22 dhjetor 2009 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 deri 24 vjeç, ku vihet re edhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjithë spitalet e vendit, si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore. Ndërkohë, prej muajit dhjetor të vitit që shkoi, në Shqipëri ka nisur vaksinimi kundër gripit të derrit i stafit mjekësor dhe i kategorive të tjera të rrezikuara.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të riskuara dhe prindërve, që të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi dje se nga gripi pandemik, sipas të dhënave të fundit, deri tani në botë kanë vdekur të paktën 11 mijë e 516 persona.  
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›