MB- KQZ firmosin marrëveshjen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Ministria e Brendshme dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Përfaqësuesit e dy institucioneve, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe kreu i KQZ-së Arben Ristani shprehën angazhimin maksimal për përmbushjen e detyrimeve për zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u shpreh në fjalën e tij se qeveria do të bashkëpunojë ngushtësisht me KQZ për realizimin e infrastrukturës zgjedhore dhe të gjithë detyrimeve të përcaktuara në memorandumin e bashkëpunimit.
Ministria e Brendshme me nënshkrimin e këtij memorandumi do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institucionet kryesore, kryesisht me të gjitha njësitë vendore, komunat dhe bashkitë e vendit, për të pasur një proces me standardet e kërkuara jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga legjislacioni në fuqi, siguroi ministri Nishani. Ndërsa nga ana e tij, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani vlerësoi se ky memorandum formalizon bashkëpunimin që ka nisur prej muajsh dhe që do të vazhdojë deri në përfundim të procesit zgjedhor, e ndërkohë duke veçuar bashkëpunimin shumë të mirë me Ministrinë e Brendshme theksoi se krijimi i Regjistrit Kombëtar të Shtetasve është një risi që jo vetëm do të ndikojë për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, por edhe do tu shërbejë qytetarëve në çdo moment. Në bazë të këtij memorandumi bashkëpunimi, qeveria do të mbështesë dhe do ti garantojë KQZ-së; sigurimin e ambienteve të nevojshme për KZAZ-të dhe VNV-të, sigurimin e ambienteve për Zyrat Rajonale Zgjedhore të KQZ-së, angazhimin e strukturave në varësi të KM për transportin e bazës materiale zgjedhore, nga KQZ-ja në KZAZ-të, në të gjithë territorin Shqipërisë. Ministria e Brendshme ngarkohet të mbikëqyrë përmbushjen e angazhimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe në këtë Memorandum, nga të gjitha institucionet në varësi të Këshillit Ministrave dhe nga organet e Qeverisjes Vendore, prefektët, mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në aktet e KQZ-së, bashkërendojnë realizimin e detyrave të parashikuara në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore si dhe në këtë Memorandum në të gjithë territorin e juridiksionit administrativ përkatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në këtë memorandum bashkëpunimi duhet ti sigurojë Këshillit të Ministrave dhe të gjithë institucioneve në varësi të tij, në kohën e nevojshme, informacionin e duhur për të lejuar përmbushjen e angazhimeve, në funksion të administrimit të procesit zgjedhor, në përputhje me legjislacionin në fuqi.