MB përgenjështron PS: Lista e zgjedhësve janë të sdandarteve evropiane
Menjëherë pas deklaratave të Partisë Socialiste, se qeveria dhe MB kanë futur vendin në një terr informativ dhe se procesi i kartave ka dështuar, ka reaguar Ministria e Brendshme nëpërmjet zëdhënësit të saj, Fatmir Konjës, i cili sqaron opinionin publik se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira evropiane.
Ashtu si gjithmonë, Ministria e Brendshme del dhe përgënjeshtron deklaratat e opozitës për çështjen e pajisjes së kartave, por ajo që është më shqetësuese mbetet fakti se qytetarët nuk ditë se cilës palë ti besojnë, ngaqë që të dyja kanë argumente për ta përbaltur rivale. Megjithatë, loja e avazit të konviktit vazhdon dhe siç duket do të zgjasë deri më 28 qershor. Kështu, edhe këtë radhë MB pretendon se listat e zgjedhjeve janë me të mirat në historinë e vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë. Lista përfundimtare e zgjedhësve është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore. Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç, por për sa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet ti fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve. Duket krejt i paarsyeshëm pretendimi i Partisë Socialiste për të konsideruar të vdekur çdo shtetas që ka mbushur moshën 90 vjeç, shprehet Konja. Në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, Ministria e Brendshme sqaron edhe njëherë opinionin publik, forcat politike dhe të gjithë aktorët e interesuar, se pas datës 15 Qershor, sapo të mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë qytetarët pa pasaportë, do të dërgohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike të interesuara, lista e plotë e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar.