Moxhi: Ançeloti te Çelsi, Gasperini në stolin kuqezi
Në kolonat e "Libero", Luçiano Moxhi shprehet i bindur se Karlo Ançeloti do të largohet nga Milani për të punuar në Londër me Çelsin. Në vend të tij, te kuqezinjtë do të emërohet tekniku i Xhenoas, Gasperini. "Trajneri i Milanit po mëson anglishten. Nuk mendoj se e ka bërë për hobi, por si diçka të domosdoshme për të punuar në Londër me Çelsin gjatë sezonit të ardhshëm. Nuk ka asnjë dyshim se ai do të largohet nga Milani. Madje do t‘ju them edhe diçka tjetër: në vend të tij, në ‘San Siro‘ do të emërohet Gasparini, drejtuesi aktual i Xhenoas, që gjatë këtij sezoni u konfirmua si një prej trajnerëve më të mirë", shkruante "Big Luçiano". Më tej, i akuzuari kryesor për skandalin "Calciopoli" ka folur për krizën te Juventusi, duke ia faturuar fajin pronarëve të bardhezinjve. "Me skuadrën që kishte Ranieri ka punuar shumë mirë, nuk është faji i tij. Nuk shoh si fajtorë as drejtuesit, por njerëzit që patën guximin t‘i emëronin në krye të klubit më të madh në Serinë A, edhe pse ata nuk kishin përvoja futbollistike", përfundoi Moxhi.