E Shtunë, 31 Tetor 2026

MB:Në protestat e PS, njerëz me precedentë

Ministria e Brendshme ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp për protestat e PS-së në disa qarqe të vendit duke theksuar se në këto protesta ka njerëz me precedentë penal.
"Grumbullimet dhe manifestimet e paligjshme dhe pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor, të dyja vepra penale të parashikuara në ligj, në disa raste janë shoqëruar edhe nga kundërshtime me dhunë të punonjësve të policisë. Ministria e Brendshme disponon tashmë të dhëna të sakta se kundërshtimet me dhunë të punonjësve të policisë gjatë manifestimeve të paligjshme të Partisë Socialiste të cilat sipas MB-së janë kryer dhe nxitur nga persona të evidentuar me precedentë kriminalë" thuhet në deklaratën e MB-së.
Sipas MB-së përfshirja e personave me precedentë kriminalë në manifestimet në kundërshtim me ligjin që ka zhvilluar Partia Socialiste në disa qarqe të vendit, përbën një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.
"është evident tashmë edhe fakti se Partia Socialiste po angazhon në manifestimet e saj të paligjshme edhe punonjësit, policët bashkiakë dhe zyrtarët e administratës të njësive vendore që ajo qeveris. Ministria e Brendshme i bën thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga personat me precedentë kriminalë të angazhuar në aksionet e saj politike, të mos keqpërdorë administratën vendore që ka nën kontroll, dhe më e rëndësishmja të heqë dorë nga veprimet dhe manifestimet që cënojnë rendin dhe ligjin" thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkohë Ministria e Brendshme, i ka bërë thirrje Partisë Socialiste të ndalë kërcënimet ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe të shpreh mbështetjen e plotë për punën dhe angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, që sipas saj në çdo rast kanë qëndruar në lartësinë e detyrës, duke mbrojtur ligjin e njëherësh duke respektuar maksimalisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›