Dekretet e Topit për Gjykatën e Lartë, në sitën e Kuvendit
Eljona Ballhysa
Dekretet e reja të presidentit Bamir Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duket se s’do ta kenë të lehtë të kalojnë provën në Kuvend. Dy javë pas dekretimit të tyre nga presidenti Topi, gjashtë emrat e gjyqytarëve, kandidatë për Gjykatën e Lartë “enden” korridoreve të Kuvendit. Gjatë ditës së djeshme kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja bëri të ditur për mediat se pikërisht këtë javë ky komision do të nisë shqyrtimin e kandidaturave. Për gati dy javë, sipas Bejës, Kuvendi u ka kërkuar informacion institucioneve shtetërore për gjashtë gjyqtarët, nëse ata i përmbushin ose jo kriteret e përcaktuara për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Megjithatë, duket se vjeshta do të jetë përcaktuese për zëvendësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
Deklarata
“Presim nga institucionet të dhënat për veprimtarinë e kandidatëve të dekretuar nga Presidenti dhe mbi bazën e tyre ne do të fillojmë shqyrtimin”,- është shprehur Beja. Sipas tij, dekretet do të shqyrtohen në bazë të rregullores së re, e cila parashikon zhvillimin e seancave dëgjimore me secilin prej gjyqtarëve të dekretuar. Por duket se pikërisht kjo dispozitë e Rregullores së re të Kuvendit do të sjellë një debat të ri në skenën e politikës shqiptare. Kështu, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se kjo parti nuk do të pranojë që të zhvillohen seanca dëgjimore për gjyqtarët, pasi tashmë ata janë të dekretuar nga presidenti dhe nuk janë kandidatë. Sipas PS-së, në bazë të Kushtetutës, dekretet e presidentit duhet të marrin votën e Kuvendit dhe nuk duhet të kalojnë sërish në seanca dëgjimore, ku deputetët t’i drejtojnë pyetje gjyqtarëve. Ndërsa Beja mendon ndryshe. Ai sqaron se gjyqtarët, pavarësisht se janë dekretuar mbeten kandidatë, derisa Kuvendi të japë votën e tij. “Çdo kandidat i dekretuar nga presidenti duhet të plotësojë kushtet ligjore dhe më pas të votohet nga Kuvendi. Është e qartë që emri i dekretuar duhet të marrë votën e Kuvendit, pasi ndryshe mbetet kandidat”,- është shprehur Beja.
Rregullorja
Pas dekretimit nga Presidenti, kandidaturat i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë. Në bazë të ndryshimeve në Rregullore, Kryetarja e Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit të ligjeve, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tri javëve nga marrja e kërkesës. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni nëpërmjet raportit të tij, i kërkon Kryetarit të Kuvendit, të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje. Kuvendi ka tre javë kohë për të shqyrtuar gjashtë dekretet e propozuara nga presidenti Topi. Për të zgjedhur gjashtë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë Topi është bazuar në listën me 9 kritere të propozuara nga grupi i eskpertëve. Grupi i punës për të hartuar listën e kritereve mori parasysh katër nga propozimet e Partisë Socialiste dhe një propozim të Partisë Demokratike.
Kandidatët
Aleksandër Muskaj - Gjyqtar prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Arjana Fullani - Gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh, ka marrë titullin “Master” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, bashkëautore e tekstit “E drejta familjare”.
Andi Çeliku - Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh.
Evelina Qirjako - Juriste prej nëntëmbëdhjetë vjetësh.
Guxim Zenelaj – Gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së.
Majlinda Andrea - Gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
22 Korrik 2008