METE: Edhe 5 HEC-e të tjerë vendorë drejt procedurave për koncesion
Listës së ndërtimit me koncesion të HEC-eve vendore i janë shtuar edhe 5 të tjerë, pas vendimit të fundit të qeverisë. Për të 5 hidrocentralet e reja "Suha 1”, “Rrapun 3”, “Llanga 1”, “”Sotirë 1”, “Sotirë 2", janë bërë të gjitha aplikimet nga ministria e Ekonomisë, e cila është dhe Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të formës "BOT" (Ndërtim, operim dhe transferim). "METE në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të këtyre pesë hidrocentraleve do të kërkojë shprehje interesi dhe do të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i të 5 HEC-eve vendore",- deklaruan burime zyrtare nga METE. Numri i kontratave koncesionare me firmat shqiptare dhe të huaja për ndërtimin e HEC-eve vendore arrin në mbi 70 të tilla, me shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, të cilat janë miratuar edhe nga Qeveria. Investimi total në to arrin në mbi 200 milionë euro, fuqia e instaluar në 216 MW, ndërsa kapaciteti prodhues vjetor i energjisë, në 700 Gw/h/vit.
TEC-i i Vlorës, gati nisja e prodhimit të energjisë në qershor
Kreu i Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gergj Bojaxhi gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për ndërtimin e TEC-it në Vlorë është njohur me ecurinë e tyre. Në njohjen e aspekteve mjedisore të projektit dhe në disa element me karakter social. Projekti është na fazën e kolaudimeve të fundit teknike. Kreu i KESH-it ka deklaruar se turbina e TEC-it parashikohet të vihet në punë në javët e para të qershorit. “Në këtë fazë rreth 94 për qind të punimeve janë përfunduar, ka filluar komisioni i pajisjeve dytësore dhe gjatë javëve të ardhshme do të behet edhe komisionimi i pajisjeve parësore, ku më e veçantë mbetet turbina e gazit. TEC-i do të punojë brenda parametrave të ligjit shqiptarë dhe atij të BE-së për aspektin ekologjik. Pra impiantit që ne po ndërtojmë sot i ka parametrat tre herë më të ulët sesa parametrat evropian”,- u shpreh kreu i KESH-it, Bojaxhi. Ndërtimi i TEC-it në Vlorë ka angazhuar rreth 400 punonjës. Bojaxhi ka zhvilluar edhe një takim në fshatin Bishan ku janë mbjellë për llogari të KESH-it rreth 5000 pemë të cilat janë pjesë e projektit për zëvendësimin e pishave të prera në pyll të sodës me sipërfaqe ku po ndërtohet edhe TEC-i.
8 Maj 2009