Qeveria përcakton grada të reja për SHKB-në
Laureta Rryçi
Tiranë - Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm do të përfshihen në një sistem të ri gradash. Vendimi më i fundit i qeverisë ka përcaktuar kushte të reja që duhet të plotësojë këta punonjës të Policisë së Shtetit për të marrë një gradë më të lartë apo për të pasur dhe një pozicionin më të mirë hierarkik. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm vendimin e plotë se si do të realizohet ky proces.
Vendimi
Në funksionet e këshilltarit të drejtorit të Përgjithshëm të SHKB-së mund të caktohet çdo punonjës nga personeli hetues, pavarësisht gradës që mban. Gjatë periudhës në këtë funksion punonjësi ka të drejtë të fitojë gradën pasardhëse, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara, i pakushtëzuar nga ekzistenca e funksioneve të lira për gradë. Punonjësi, personel hetues i SHKB-së, në çastin kur kalon në sistemin e ri të gradave, merr gradën që i korrespondon funksionit që kryen vetëm nëse në çastin e kalimit në këtë sistem gradash ka vjetërsi shërbimi jo më pak se: 2 vjet, për gradën “Agjent”, përfshirë edhe periudhën e arsimit apo të trajnimit policor; 5 vjet, për gradën “Agjent i parë”, përfshirë edhe periudhën e arsimit apo të trajnimit policor; 3 vjet, për gradën “Hetues”; 6 vjet, për gradën “Hetues i parë”; 9 vjet, për gradën “Drejtues i SHKB-së”; 12 vjet, për gradën “Drejtues i parë i SHKB-së”; 15 vjet, për gradën “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHKB-së” si dhe 15 vjet, për gradën “Drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së”.
Efektivët ekzistues
Për punonjësit ekzistues të SHKB-së, për 3 vitet e para pas kalimit në sistemin e ri të gradave, afati i qëndrimit në gradë, për efekt të konkurrimit për ecje në karrierë të personelit hetues, do të llogaritet nga data e marrjes së gradës së vjetër policore, kur grada e re është e barasvlershme ose një më e ulët.
Për realizimin e procesit të kalimit në sistemin e gradave, sipas këtij vendimi, ngrihet komisioni kalimtar, i cili shqyrton dokumentacionin dhe i propozon autoritetit, që ka kompetencë gradimin, dhënien e gradave përkatëse punonjësve të SHKB-së. Përbërja, mënyra dhe nivelet e organizimit, të funksionimit, si dhe procedurat që do të ndjekë komisioni kalimtar, përcaktohen me urdhër të ministrit. Komisioni përfundon së funksionuari pas realizimit të procesit të kalimit në sistemin e ri të gradave. Kalimi në këtë sistem gradash do të përfundojë jo më vonë se tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Punonjësit e SHKB-së, që do të punësohen në strukturat e Policisë së Shtetit, rifitojnë gradën policore të mbajtur më parë, të ekuivalentuar sipas Ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”.
Vendimi nr.601, datë 2.11.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për funksionet në Ministrinë e Rendit Publik, që kanë të drejtën e mbajtjes së gradës së Policisë së Shtetit”, i ndryshuar, nuk zbatohet për punonjësit e SHKB-së.
Boc
Sistemi i ri i gradave
2 vjet
për gradën “Agjent”, përfshirë edhe periudhën e arsimit apo të trajnimit policor
5 vjet
për gradën “Agjent i parë”, përfshirë edhe periudhën e arsimit apo të trajnimit policor
3 vjet
për gradën “Hetues”
6 vjet
për gradën “Hetues i parë”
9 vjet
për gradën “Drejtues i SHKB-së”
12 vjet
për gradën “Drejtues i parë i SHKB-së”
15 vjet
për gradën “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHKB-së”
15 vjet
për gradën “Drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së”
8 Maj 2009