Ndryshon tregu i banesave, emigrantët dhe pasanikët preferojnë vilat
Tregu i shit-blerjes së banesave duket se po merr një trend të ri. Qytetarët shqiptarë po tregohen më të kujdesshëm në investimin e kursimeve të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për blerjen e një banese që konsiderohet si pasuri e patundshme. Dëshira e shumë individëve që kishin të ardhura të mjaftueshme për blerjen e një shtëpie tani po ndryshon nga ajo për të pasur një apartament në një pallat publik, në atë të pasjes së një residence personale të tipit vilë, mundësisht jashtë qytetit. Këtë tendencë të re e para po e njeh Tirana, e cila gjatë vitit të fundit ka pësuar një shtim të ndërtimit të vilave ose blloqeve residenciale me vila në periferitë e saj. Këtë gjë e raportojnë edhe agjencitë kryesore imobiliare të kryeqytetit, të cilat këtë vit kanë njohur një rritje të kërkesës për blerjen e vilave. Sipas agjentëve imobiliarë, “tashmë i gjithë kryeqyteti po rrethohet nga blloqe rezidenciale për ndërtimin e vilave”. Sipas tyre, dy janë zonat më të preferuara dhe që kanë pasur hov të lartë zhvillimi: Lundra dhe Farka, në të cilat po shpenzohen miliona euro investime për krijimin e “fshatrave” me vila afër metropolit shqiptar. Sipas shefit të një agjencie pronash në Tiranë, “tendenca e ndërtimit të vilave u ngjason viteve ’50 në SHBA ku individë që kanë mundësi të paguajnë më shumë për të pasur një vilë të tyren kërkojnë më shumë hapësirë dhe gjelbërim, si dhe duan të largohen larg zhurmës së kryeqytetit”. Aktualisht sipas agjentëve imobiliarë, këto kërkesa i përkasin shtresës elitare të shoqërisë, si bankierët, biznesmenët, juristët, mjekët, që preferojnë periferinë dhe një shtëpi të madhe.
Çmimet e vilave
Blloqet residenciale me vila në periferi të kryeqytetit, aktualisht nuk janë për individë me të ardhura mesatare. Çmimet për metër katror të këtyre ndërtimeve variojnë nga zonat, dhe nisin nga 850 euro deri në mbi 1100 euro, nëse zona e vilave ndodhet më pranë Tiranës. Megjithatë, për komunat e Tiranës, të cilat janë duke u pasuruar, duhet pasur kujdes lidhur me planet zhvilluese. Mësohet se vetëm Farka i ka dhënë rëndësi zhvillimit urban, duke bashkëpunuar me ndërtuesit, kurse të tjerat janë në proces. Drejtues të tjerë agjencish, thonë se interesimi për vilat në periferi ka qenë gjithnjë i madh, por gjatë vitit të fundit kësaj kërkese i janë shtuar më shumë emigrantët, kryesisht ata që janë kthyer përgjithmonë nga Greqia. Por ka edhe shumë individ që kanë preferuar më mirë që të blejnë një tokë në periferi të kryeqytetit dhe pastaj të mendojnë vet për ta ngritur vilën e tyre. Sipas një agjencie imobiliare në Tiranë, në muajt korrik dhe gusht, mbi 500 transaksione janë kryer vetëm në këtë agjenci nga emigrantë, duke shënuar kështu një rritje të ndjeshme. “Emigrantët këtë vit kanë qenë të interesuar edhe për blerje të sipërfaqeve të tokave në komunat në periferi të kryeqytetit. Por ka pasur edhe nga ata emigrantë që kanë pasur apartamente në kryeqytet dhe i kanë nxjerr në shitje, për të kërkuar më pas një tokë boshe në periferi”,- pohon një agjent imobiliar.
Zonat turistike
Drejtues të agjencive imobiliare thonë se, zonat më të preferuara turistike për blerje pronash të patundshme janë plazhet e Rradhimës në Vlorë dhe Gjiri i Lalëzit në Durrës. Lidhur me zonat e tjera të vendit, për momentin ka një interes të ulët për sa i përket zhvillimit të komplekseve të mëdha, për shkaqe që lidhen edhe me pronësinë. Sipas agjentëve imobiliarë që mbulojnë edhe këto zona, “aktualisht, në Jugun e vendit po shohim vetëm hotele të kapaciteteve të vogla, që u përshtaten familjeve me të ardhura mesatare dhe nuk ka në proces ndërtime të një shkalle më të madhe, si edhe ambiente pushimi që i drejtohen elitës”. Megjithatë, interesimi për bregdetin është i madh, për shkak edhe të shtrirjes së gjatë, por problemi qëndron te mënyra e ndërtimeve, mungesa e planeve dhe konfliktet me pronën. Pavarësisht problemeve, të huajt shprehin interes për të investuar, marrin informacione lidhur me tregun, por mbeten pezull në vendime për aq kohë sa nuk dihet se kujt i takon prona.
Kreditë, BSH parashikon lehtësim të kushteve
Pas 2 vjetësh politika shtrënguese nga ana e bankave, qytetarët dhe bizneset mund të shpresojnë për marrjen më lehtë të kredive. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues se gjatë 3 mujorit të tretë të këtij viti situata do të përmirësohet. Kjo pasi bankat presin lehtësim të kushteve në kreditim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Banka Qendrore evidenton se bizneset do të mbështeten me kredi, kryesisht për kapital qarkullues se sa për investime, ndërsa qytetarët më tepër për blerje shtëpish se sa për konsum. Ritmet e kreditimit të ekonomisë janë ngadalësuar gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për katër muajt e parë të vitit 2010, niveli i kredisë u rrit me 4.4% nga 6.3% që ishte rritja e një viti më parë. Një ndër arsyet që bankat kanë ngadalësuar ritmin e financimeve është rritja e kredive të pakthyera, që në fund të muajit qershor arriti në 12.2%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 8.7%.
31 Gusht 2010