METE penalizon ACR-në, me 56 mln lekë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vendosi sot penalizimin e shoqërisë koncensionare "Albanian Chrome" sh.p.k, në masën 56 milionë lekë, për shkak të mos realizimit të investimeve të parashikuara në programin e investimeve, një gjobë që duhet të shlyhet brenda 20 ditësh që nga marrja e njoftimit.Kjo masë është marrë menjëherë pas kontrolleve të ushtruara nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Pas përfundimit të këtyre kontrolleve, u konstatua se për periudhën 2007-2008, shoqëria ACR ka investuar 3 milion e 90 mijë në Minierën e Kromit të Bulqizës, ndërkohë që investimet e kryera, në bazë të kontratës koncensionare që METE ka lidhur me ACR, duhet të ishin 3 milion e katërqind mijë USD. Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezulton se, për vitin 2009 nuk ka pasur asnjë investim në minierën e kromit të Bulqizës nga shoqëria koncensionare "Albanian Chrome". Penaliteti i vendosur për shoqërinë "Albanian Chrome" është llogaritur për mosrealizimin të investimeve për 365 ditë vonesë (01.01.2009 deri 31.12.2009), referuar detyrimit për investime në Minierën e kromit Bulqizë, për periudhën 2007-2008.
Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania, pas raportit të hartuar nga Grupi i Punës së ngritur nga METE, për kontrollin e aktivitetit minerar të kësaj shoqërie koncensionare. Ky pezullim i pjesshëm i lejes minerare të shoqërisë ACR, është vendosur vetëm për Zonën D, dhe do të vazhdojë deri sa të plotësohen mangësitë e konstatuara nga AKBN dhe RISHM-i. Në ditët në vijim, Grupi i Punës dhe AKBN do të zhvillojnë kontrolle edhe në objektet e tjera.