METE vendos pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë ACR
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi pezullimin e pjesshëm të lejes minerare për shoqërinë koncensionare ACR Albania, pas raportit të hartuar nga Grupi i Punës së ngritur nga METE, për kontrollin e aktivitetit minerar të kësaj shoqërie koncensionare. E ndërsa ministria ka marrë këtë vendim, ende nuk dihet se kush do të jetë reagimi i minatorëve, të cilët kanë nisur një grevë prej më shumë se dy javësh. Pezullimi i pjesshëm i lejes minerare të shoqërisë ACR është vendosur vetëm për Zonën D dhe do të vazhdojë deri sa të plotësohen mangësitë e konstatuara nga AKBN dhe RISHM-i. Në urdhrin e firmosur nga Ministri i METE thuhet se, këto mangësi lidhen me sigurinë në punë dhe kushtet e shfrytëzimit, për punimet që kryhen në zonën e rrezikshme, problemet lidhur me ujërat që lidhen me këtë zonë, shëndetin e punonjësve, problemet mjedisore etj, të përcaktuara këto në raportin shoqërues të strukturave përgjegjëse, të parashikuara në ligjin Nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”. Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë, vendimi për pezullimin e pjesshëm të lejes minerare të shoqërisë ACR është marrë pas raportit të paraqitur nga Grupi i Punës, i cili u krijua me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për kontrollin e realizimit të marrëveshjeve koncesionare të dhëna për shoqërinë ACR. Në bazë të urdhrit të ministrit, nr. 501 datë 04.07.2011, grupi i punës për kontrollin e realizimit të marrëveshjes koncensionare të shoqërisë Darfo spa (ACR) ku u përfshi aktiviteti minerar i shoqërisë koncensionare për periudhën 2010-2011. Gjithashtu, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi edhe shpalljen si të pavlefshme të marrëveshjeve nënkontraktore që shoqëria ACR Albania ka lidhur për Zonën D. Në urdhër thuhet se, fillimi i punës në zonën D do të kryhet vetëm nga Koncesionari dhe jo me nënkontraktorë, pasi të jetë paraqitur një projekt i qartë teknik i miratuar nga AKBN dhe RISHM, si dhe pasi të jenë kryer detyrat e përcaktuara më lart. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës garanton se do të zbatojë me rigorozitet ligjin dhe të gjithë dispozitat e tij për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve koncensionare.