Zjarr në TEC-in e Maliqit, rrezikohet kombinati i sheqerit
Korçë Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e të mërkurës TEC-in e Maliqit. Ngjarja u shënua rreth orës 14:30 të kësaj dite, ndërsa një telefonatë nga banorë të qytetit kanë vënë në dijeni komisariatin e policisë. Nga flakët u rrezikua seriozisht edhe Kombinati i sheqerit, brenda të cilit ndodheshin edhe një numër i konsiderueshëm punonjësish në procesin e tyre të punës. Nisur nga situata e rëndë dhe e papritur, janë marrë masa urgjente për evakuimin e menjëhershëm të këtyre punonjësve, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm të jetës së tyre. Në vendngjarje, bëjnë të ditura burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mbërritën 4 mjete zjarrfikëse, të cilat vunë nën kontroll flakët, ndërsa fikja e plotë e tyre u bë e mundur pas më shumë se dy orësh. Për fat të mirë nuk ka patur të lënduar, ndërsa përllogariten vetëm dëme material të cilat janë të konsiderueshme. Policia e Korçës ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa po punohet në pistën e një zjarri të ardhur nga faktorë aksidentalë. Gjithsesi, polica nuk jep të dhëna të qarta për këtë zjarr në një nga veprat më të rëndësishme industriale të ish-diktaturës komuniste, në funksion, ndonëse jo me atë intensitet edhe aktualisht. Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet që pas grumbullimit të elementeve të duhura të mësohet se çfarë shkaktoi zjarrin në TEC-in e Maliqit, që ndodhet vetëm pak metra larg ish-Kombinatit të sheqerit. Irena Vreto