E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet Sokol Koçiu, “ish-bosi i kokainës” kërkon falje

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
“Kokaina”

Gjykata e Tiranës ka lirur me kusht Sokol Koçiun. Vendimi është dhënë dje nga gjyqtari Arben Micko, i cili ka vendosur t i japë lirinë të akuzuarit për trafik të lëndëve narkotike. I cilësuar si “bosi i kokainës”, ka kërkuar herë pas here ulje dënimi dhe në fund i ka kërkuar gjykatës lirimin e tij me kusht, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjykata, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Koçiut, ka vendosur lirimin e tij, duke parë edhe sjelljen e tij të mirë në burg. Sokol Koçiu kishte kohë që po kryente dënimin në burgun e Vaqarrit, i cili është një burg i sigurisë normale, duke parë që ai nuk përbënte rrezik për arratisje.
Kërkesa
Në seancën e kaluar gjyqësore, Koçiu i ka pohuar trupit gjykues se, nëse lirohet, ka disa alternativa për t u ingranuar me punë. Ai ka pohuar se familja e tij ka një aktivitet privat, ku ai do të punësohet. Gjithashtu, ai ka pohuar se mund të punësohet edhe në profesionin e tij. “Unë kam edhe profesionin që mund të punoj, por mund të punoj edhe në sektorin privat, në biznesin që ka familja ime”, - i është përgjigjur Koçiu pyetjes së gjyqtarit në lidhje me preokupimet e tij, nëse lirohet nga burgu. Më pas gjyqtari i ka kërkuar bashkëshortes së Sokol Koçiut që të dorëzojë pranë gjykatës një kopje të vendimit të regjistrimit të biznesit pranë gjykatës si dhe një deklaratë për punësimin e të dënuarit Sokol Koçiu. Pasi është dëgjuar edhe deklarata e kërkuesit, gjykata ka vendosur shtyrjen e seancës.
Dënimi
Në prill të vitit 2003, Koçiu u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Tiranës, vendim të cilin Apeli e la në fuqi në dhjetor të atij viti. Më pas, Gjykata e Lartë, duke argumentuar se në proces nuk kishte shkelje procedurale, refuzoi ta shqyrtonte rekursin e të pandehurve. Në fund të vitit 2005, Gjykata Kushtetuese evidentoi shkelje të Kushtetutës dhe riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë, në bazë të detyrave të lëna nga Kushtetuesja, u hoqi tre të pandehurve: Frederik Durda, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, akuzën e “drejtimit dhe përfshirjes në organizatë kriminale”, duke u ulur edhe dënimin. Përfundimisht, Koçiu u dënua me 12.5 vjet burg, nga të cilat deri tani ka vuajtur plot 10 vjet. Duke qenë se i ka mbetur edhe një kohë e shkurtër e qëndrimit në burg, Koçiu pretendon se ka të drejtën të jetë i lirë me kusht. Ai ka paraqitur si kriter edhe sjelljen e tij të mirë si në burgun e sigurisë së lartë ashtu edhe në atë të transferuar pak kohë më parë në Vaqar.

Dosja “Kokaina”
Të arrestuarit e dosjes “Kokaina” ishin të akuzuar për organizimin e trafikut të narkotikëve dhe kokainës nga Kolumbia në Shqipëri në vitin 2001, krijim të organizatave kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje. Këto janë akuzat që dërguan në burg ish-shefin e Policisë, Sokol Koçiun, së bashku me pesë persona të tjerë në vitin 2001. Frederik Durda, i dënuar me 16 vjet burg; Arben Bërballa me 15 vjet; Sokol Koçiu me 15 vjet; Mentor Hadërgjonaj me 7 vjet burg (tani është lënë i lirë); Vehbi Hysi me 5,5 vjet, vdiq në maj të 2003-shit, pak muaj para se të lirohej; ndërsa Alfred Nanaj, me 6 vjet burg, pasi mbaroi dënimin dhe fitoi lirinë, ra prapë në burg. Procesi ndaj tyre ka qenë shumë i bujshëm edhe për vetë faktin se asokohe u përfol dhe implikimi i ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi, i cili ishte një ndër miqtë e ngushtë dhe eprori i Sokol Koçiut.

Ky lajm është publikuar: 21/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›