MOSKË – Kremlini: Rusia do të negociojë me Ukrainën për çështjet territoriale

MOSKË, 16 shkurt /ATSH-DPA/- Rusia synon të negociojë me Ukrainën për çështjet territoriale gjatë bisedimeve dyditore, që do të nisin të mërkurën në Gjenevë, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Prania e kryenegociatorit Vladimir Medinsky do të jetë e nevojshme”, tha Peskov.
Presidenti rus Vladimir Putin emëroi ish-ministrin e Kulturës si negociator të Rusisë, por ai është kritikuar nga Ukraina si një bashkëbisedues joserioz.
Edhe pse më parë ka zhvilluar bisedime me palën ukrainase, Medinsky ka munguar në negociatat e mbajtura në Abu Dabi, në fillim të këtij viti.
“Medinsky ka munguar pasi diskutimet kishin të bënin me çështje ushtarake, të cilat nuk ishin pjesë e portofolit të tij”, tha Peskov.
“Raundi i ri i bisedimeve në Gjenevë ka një format të zgjeruar, dhe do të përfshijë pjesëmarrjen e shefit të inteligjencës ushtarake të Rusisë, Igor Kostyukov, dhe zëvendësministrin e Jashtëm Mikhail Galuzin”, tha Kremlini.
Çështjet territoriale mbeten të pazgjidhura
Një zgjidhje për luftën në Ukrainë nuk është ende në horizont. Kievi ka refuzuar të heqë dorë nga kontrolli i territoreve të pretenduara nga Rusia, përfshirë rajonin e Donetskut.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar vazhdimisht se Putinit nuk duhet t’i ofrohen “dhurata” gjatë negociatave.
Para bisedimeve në Gjenevë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Galuzin paraqiti propozimin e Putinit për ta vendosur Ukrainën përkohësisht nën administrimin e OKB-së.
“Moska ishte e gatshme ta diskutonte këtë me SHBA-në, vendet evropiane dhe vendet e tjera”, tha Galuzin. Propozimi i Putinit ishte refuzuar gjerësisht vitin e kaluar.
Vazhdimi i bisedimeve ekonomike ruso-amerikane
Paralelisht me bisedimet për paqen në Ukrainë, në Gjenevë po zhvillohen gjithashtu bisedime dypalëshe midis SHBA-së dhe Rusisë, me pjesemarrjen e të dërguarit special të Putinit, Kirill Dmitriev, i cili është takuar vazhdimisht me kryenegociatorin amerikan Steve Witkoff.
Dmitriev po lobon për heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe po përgatit një rivendosje të kontakteve ekonomike me SHBA-në, në rast të një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.
Rusia vazhdon të thotë se dëshiron t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës, të cilën Putini e filloi gati katër vjet më parë, por me kushtet e veta.
Ukraina deri më tani i ka hedhur poshtë kërkesat ruse – duke i konsideruar ato të papranueshme. //a.i/