Konflikt për pronat, vazhdon përplasja me Inspektoriatin e Ndërtimit
Prishja e objekteve në kryeqytet ka gjeneruar një tjetër konflikt mes inspektoriatit të ndërtimit dhe qytetarëve. Aksioni më i fundit i këtij autoriteti për të prishur një lokal mbi një shtesë pallati në katin e dytë tek "Zogu i Zi", ka ndeshur në rezistencën e pronarëve. Këta të fundit, jo vetëm që pretendojnë se prishja po bëhet në mënyrë të kundraligjshme, por madje kanë denoncuar policinë bashkiake se ka ushtruar dhunë mbi ta. Sipas pronarit, ky lokal është në proces legalizimi,çka e bën të jashtëligjshëm vendimin për prishjen e tij, si dhe deklaron se për këtë çështje ka edhe një proces gjyqësor të hapur.Si rrallë herë ndodh në kësi aksionesh të inspektoriatit të ndërtimin, për prishjen e lokalit në fjalë, janë thirrur në vendgjarje një numër shumë i madh përforcimesh. Mbi 8 automjete dhe dhjetra efektivë të policisë bashkiake të kryeqytetit.