E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPB hedh poshtë akuzat e AAK-së

Prishtinë, 25 gusht - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i ka quajtur të pabaza akuzat e AAK-së se gjoja i ka dhënë tenderin për targa të automjeteve, kompanisë me çmimin më të shtrenjtë se konkurrentët tjerë, duke i eliminuar kompanitë konkurrente, dhe si rrjedhojë e ka dëmtuar buxhetin e vendit për 706 mijë euro.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të prodhimit të dokumenteve në MPB, Besnik Berisha thotë se kompania “Ascom Group&KIG” është përzgjedhur për shkak të kualitetit të lartë të targave, ka qenë më e përgjegjshmja si dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga MPB, raporton TV21.
çmimi, sipas Berishës, nuk ka qenë më i shtrenjti, për shkak se të paktën, edhe dy kompani konkurrente, kanë ofruar çmim mbi 2 milionësh, përderisa aspektet e sigurisë dhe kualiteti i targave kanë qenë të nivelit të ulët.
Tenderi për targat e reja të automjeteve ishte shpallur më 28 maj të këtij viti, fituese, ndërkaq është shpallur kompania “Ascom Group&KIG” në Prishtinë, me një çmim prej 1.722.670 eurosh. çmimi më i ulët i kompanive konkurruese ka qenë 1.016.769 euro, prandaj sipas Berishës, në këtë rast nuk është dëmtuar buxheti i vendit, përkundrazi është ruajtur. Kjo pasi që, targat ekzistuese të UNMIK-ut kanë kushtuar 6 euro e gjysmë, ndërsa kompania fituese “Ascom dhe KIG” ka ofruar çmim prej 6 euro e 20 centë.
Kompania fituese, sipas Berishës, i ka pasur targat më kualitative me aftin e qëndrueshmërisë për pesë vjet dhe si rrjedhojë, qytetarët nuk kanë nevojë të nxjerrin targa të reja çdo vit, për shkak të kualitetit të dobët.
Berisha hedh po ashtu poshtë edhe akuzat se tenderi është shpallur pesë herë, dhe se kompanitë konkurrente janë eliminuar për gjoja mungesën e fijes virtuale të sigurisë dhe që gjoja nuk kanë pasur certifikata të vërtetuara.
Tenderi sipas Berishës është anuluar tri herë dhe kjo për shkak të papërgjegjësisë së kompanive dhe për shkak se ato nuk kanë mundur të ofrojnë atë që është kërkuar nga MPB, si specifikat teknike.
Prodhimi i targave, ndërkohë nuk do të fillojë të bëhet menjëherë dhe nuk ka ndonjë afat, për shkak se fillimisht do të bëhet rishqyrtimi i procesit të tenderimit, më pas nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese, nëse do të jetë “Ascom dhe KIG” dhe më pas prodhimi i targave.
Prodhimi i targave do të fillojë tek pas përfundimit të rishqyrtimit të procesit të tenderimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›