E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: “Akti i dhunshëm i Edi Ramës cenon imazhin e Shqipërisë në botë”

26-04-2013 / Gazeta 55

Zëvendësministrja e Punëve të jashtme, Edit’h Harxhi, dënon incidentin ndaj diplomatit shqiptar

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar incidentin mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka, në Vjenë.
Në një konferencë për mediat, zëvendësministrja e Jashtme, Edit’h Harxhi shpjegoi se incidenti ka ndodhur në përfundim të një takimi ku Edi Rama ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit për t’u dhënë mundësi emigrantëve të votojnë për zgjedhjet e 23 qershorit. “Jam këtu përpara jush nga Ministria e Punëve të Jashtme, duke iu përgjigjur interesimit të mediave shqiptare sot, për një incident të ndodhur në Vjenë, pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës. Ministria e Punëve të Jashtme, është njoftuar sot (dje), nëpërmjet ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Misionin e OSBE-së, Spriro Koçi, mbi incidentin e ndodhur dje në Akademinë diplomatike të Vjenës gjatë një takimi të organizuar nga kjo Akademi... Edi Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve, Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej duke i kërkuar diplomatit Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë”, ka shpjeguar zëvendësministrja e Punëve të Jashtme.
Duke e dënuar këtë akt, zëvendësministrja Edit’h Harxhi, e cilësoi atë si të dhunshëm e kërcënues për cenimin e dinjitetit të diplomatëve, por edhe për vetë imazhin e Shqipërisë në botë. “Natyrisht Ministria e Punëve të Jashtme dënon shumë rëndë këtë akt, që është një akt i paprecedentë. Gjatë këtyre tetë viteve të fundit, nuk ka ndodhur asnjëherë një akt i tillë.  
Gjithsesi ky akt dënohet, sepse është një cenim jo vetëm i dinjitetit të diplomatëve shqiptarë, si shërbim i denjë i shtetit tonë, i cili mundohet të ngrejë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, por dënon dhe kërcënimin e imazhit të Shqipërisë që i bëhet sot për sot në botë”.
Edit’h Harxhi shprehu bindjen se i gjithë trupi diplomatik shqiptar i ndodhet pranë diplomatit Egin Ceka. “Natyrisht ne vazhdojmë ta dënojmë këtë akt pa fund dhe jam e sigurt që shërbimi diplomatik shqiptar, si edhe diplomatët shqiptarë bashkohen me mua dhe shumë të tjerë. Sot jemi pranë diplomatit Ergin Ceka”, përfundoi zëvendësministrja e Punëve të jashtme, Edit’h Harxhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›