MPJ: Liberalizimi i vizave në rrugë të mbarë, BE-ja mbështet Shqipërinë
Ministria e Punëve të Jashtme reagoi dje ndaj deklaratave të Partisë Socialiste, duke rikonfirmuar edhe një herë se Bashkimi Evropian mbështet plotësisht rrugën e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se liberalizimi i vizave është i padiskutueshëm dhe se qeveria shqiptare gëzon gjithë mbështetjen e strukturave të BE-së për realizimin e këtij procesi.
"Procesi i shumëpritur i liberalizimit të vizave është sot prioritet i padiskutueshëm dhe pjesë integrale e dialogut politik Shqipëri-BE. Ky proces nisi rrugëtimin e tij, sepse qeveria shqiptare gëzon besimin dhe mbështetjen e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian", - thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së. Më tej, në njoftimin për shtyp theksohet se Bashkimi Evropian e vlerëson Shqipërinë si vendin që ka kryer reforma të guximshme, të cilat Brukseli i konsideron frymëzuese për vendet e tjera të rajonit. “Kjo, sepse Shqipëria ka luftuar me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe është sot një vend me stabilitet të lartë ekonomik, politik dhe social dhe që po përmbush të gjitha detyrimet e saj në rrugën drejt integrimit evropian. Shqipëria ka luftuar gjithashtu me sukses trafiqet dhe sot disponon një sistem efikas të menaxhimit të integruar të kufijve”, - theksohet në njoftimin për mediat të MPJ-së.
Në njoftim vihet theksi tek realizimi i disa standardeve, duke nënvizuar se Shqipëria arriti të realizojë prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike me modelin më të përparuar në Evropë dhe javën që vjen nis shpërndarja e tyre. “Vendi ynë ka nënshkruar dhe zbaton pa asnjë hezitim marrëveshjet e ripranimit me të gjitha vendet. Këto arritje të Shqipërisë dhe ky besim që Shqipëria gëzon tek BE-ja dhe Komuniteti Euro-Atlantik janë konfirmuar nga marrja e ftesës, ratifikimet e protokolleve dhe anëtarësimi i afërt i Shqipërisë në NATO. Këto arritje dhe përparimi i shpejtë i vendit sollën nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe përmbylljen së shpejti të procesit të ratifikimit të saj të plotë”, - thuhet më tej. Referuar deklaratave të djeshme të Partisë Socialiste, Ministria e Punëve të Jashtme i bëri thirrje opozitës të pranojë realitetin dhe të mbajë qëndrime më konstruktive në dobi të procesit. “Mazhoranca, e cila po e anëtarëson Shqipërinë në NATO dhe po e afron çdo ditë e më shumë me BE-në, ka sot besimin e Komunitetit Evropian dhe qytetarëve shqiptarë, që të përmbyllë me sukses edhe liberalizimin e vizave”, - përfundon deklarata për mediat e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Dade: Lëvizja e lirë, ende problem për Shqipërinë
Partia Socialiste deklaroi dje se Shqipëria ka dështuar në premtimin elektoral për lehtësimin apo liberalizimin e vizave. Sipas sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, në fund të 2008-s Komisioni Evropian iu paraqiti vendeve anëtare të BE-së një raport, lidhur me plotësimin apo përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me lëvizjen e lirë të shtetasve. Dade pretendoi se Shqipëria është e grupuar në grupin e tretë së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe padyshim vendet e tjera të rajonit, Maqedonia, madje edhe Serbia, Mali i Zi e kanë lënë pas vendin tonë. “Vendi ynë është i çiftëzuar me Bosnjë-Hercegovinën, e cila dihet që është një vend me një problematikë mjaft komplekse dhe serioze, ndërsa Shqipëria e cila e ka nisur procesin e integrimeve shumë më herët se të gjitha këto vende, përveç Maqedonisë, për fat të keq, ka mbetur e fundit. Njëherazi më lejoni të bëj me dije për opinionin publik, se qeveria sikurse ka dështuar në të gjitha premtimet elektorale që u ka paraqitur shtetasve shqiptarë edhe për lehtësimin apo liberalizimin e vizave, rezulton e dështuar”, - tha Dade. Sipas saj, në 2006 ministrja e Integrimit premtoi që brenda 2006-s do të ketë liberalizim vizash me BE dhe me vendet përkatëse të këtij bashkimi. Ajo iu referua komisionerit Fratini, i cili erdhi në Shqipëri një vit më parë dhe nënshkroi marrëveshjen me qeverinë shqiptare lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve që do të ketë Shqipëria për lehtësimin apo liberalizimin e vizave. “Shqiptarët e kanë humbur edhe shansin e presidencës çeke, e cila tashmë ka filluar punën në drejtimin e BE-së”, - tha Dade.
LSI, kritika për reformën në spitale
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje ndaj reformës më të re në shëndetësi dhe rolit të IKSH-së. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie tha se Ministria e Shëndetësisë e ka humbur në këtë rast gjithë rolin e saj. “Krijimi i këtij dualiteti të rrezikshëm midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore krijon në mënyrë të parikuperueshme kriza të thella, pra do të kemi krijimin e dy autoriteteve paralele, ose e thënë ndryshe, krijimin e dy ministrive të shëndetësisë”, - tha Vasili. Më tej, Vasili vërejti disa probleme që do të shfaqen në bazë të kësaj reforme. Ai vuri në dukje se blerja e shërbimeve nga një institucion financiar, siç është Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, do të thotë të blesh gjëra që kanë kosto. “Është pranuar publikisht që nuk ka një kosto të shërbimeve spitalore në Republikën e Shqipërisë”, - sqaroi ai. Vasili vuri në dukje se spitalet shqiptare, megjithëse ekziston një institucion i akreditimit dhe i certifikimit të standardeve në Shqipëri, nuk është akredituar dhe certifikuar asnjë strukturë e tillë. Së treti, sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, spitalet shqiptare që duhet të jenë ato që duhet të zgjidhin kontratat me Sigurimet Shëndetësore, jo vetëm që nuk kanë kosto të shërbimeve të tyre, por nuk kanë asnjë lloj autonomie reale. “Është vendi këtu për të sqaruar se ideja, do të thosha ideja qesharake, që spitalet mund të bëjnë vetë tendera të barnave të tyre, është një ide pa kuptim, spitalet kohë pas kohë në vite e kanë pasur këtë kompetencë, apo që është hequr dorë ka qenë, për faktin se kostot, si pasojë e prokurimeve të drejtpërdrejta nga spitalet, në nivel rajonal, rriteshin në mënyrë proporcionale dhe e bënin akoma më të vështirë gjendjen e furnizimit me barna”, - tha Vasili.