Reagon PD: Socialistët mbrojnë ndotjen e mjedisit
Partia Demokratike ka reaguar dje pas deklaratave të Partisë Socialiste se qeveria po monopolizon tregun e naftës D2. Në reagimin e saj, PD-ja shprehet se qeveria po e ndalon këtë naftë, e cila po helmon shqiptarët. Ajo e cilësoi si të papranueshme reagimin e PS-së. “Sërish Partia Socialiste mbron ndotjen dhe helmimin e mjedisit. Duke kërkuar të mbahet në treg nafta D2, e cila përmban nga 300 deri në 2 mijë miligramë squfur për litër, Partia Socialiste kërkon që në ajrin e qyteteve dhe akseve rrugore të vendit të shpërndahen së paku 15 mijë ton squfur, përveç gazrave të tjera të dëmshme. Për të mbrojtur shëndetin e qytetit dhe pastërtinë e mjedisit, qeveria ka vendosur të ndalojë importin e D2, pra rreth 240 mijë ton D2 që importohej në vit dhe të lejojë vetëm gjer më 31 dhjetor të vitit 2009 prodhimin vendas në naftës D2 që ishte dhe 1/4 e sasisë së përgjithshme që konsumohej në vit. Ndërsa për të zhdukur situatën monopol të ARMO-s për 80 mijë ton D2, që ajo prodhon në vit, qeveria ka vendosur të mos e lejojë ARMO-n ta tregtojë naftën D2 vetë, por t’ia shesë me çmimin e bursës të gjitha kompanive importuese të naftës, sipas përqindjes që ato zënë në tregun vendas. Dhe kjo gjë do të vazhdojë deri më 31 dhjetor të vitit 2009. Mbrojta që Edi Rama i bën importit të kësaj nafte me pasoja të dëmshme për shëndetin e njerëzve dëshmon se kryetari i bashkisë së qytetit, me ndotjen më të larte në Evropë të naftës D2 s’ka asnjë lloj preokupimi për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të qytetarëve të Tiranës, por vetëm interesa dyshuese lobiste në kurriz të shëndetit të tyre”, - thuhet në reagimin e PD-së.