E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk komentoj vendimin e institucioneve, kam besim”

11/01/2009  Kreu i shtetit për gjyqtarët “Delijorgji”

Kryetari i shtetit shqiptar, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, ka deklaruar dje se respekton vendimin e institucioneve shqiptare, pavarësisht se ato mund të jenë në kundërshtim me vendimet e dhëna prej institucioneve të drejtuara prej tij. Pra, Presidenti Topi nuk ka bërë asnjë koment mbi vendimin që ka marrë Gjykata e Lartë për të rikthyer në detyrë tre gjyqtarët që liruan nga akuzat para pak vjetësh Mihal Delijorgjin. “Vërtet unë jam kryetar i KLD-së, por unë me cilësinë e Presidentit bëj edhe nominimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët marrin miratimin në Parlament. Kështu që nga kjo pikëpamje unë nuk mund të bëj asnjë lloj komenti që do të merrte vlerën e paragjykimit. Përderisa ne vlerësojmë institucionet, u takon këtyre institucioneve që nëse ju do t’i pyesni si gazetarë të japin opsionet e tyre. Por unë kam besim tek institucionet”, - theksoi ai. Po dje kreu i shtetit ka ripërsëritur nevojën e kualifikimit të administratës së institucionit të Presidencës, pas dështimit të takimit që ishte parashikuar mes tij dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. “Presidenti nuk mund të merret me të gjitha. Presidenti është pjesë e një protokolli. Përderisa jemi në progres e sipër, kemi nevojë të bëjmë progres edhe në protokoll. Ju siguroj se ka qenë problem i natyrës protokollare. Këtu nuk ka asnjë lloj hijeje që ekziston në këtë lloj marrëdhëniesh”, - tha Presidenti i Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›