E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, tri ditë afat për dekretimin e ligjit të dosjeve



Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i kanë mbetur vetëm tri ditë, për të dhënë një përgjigje në lidhje me ligjin e hapjes së dosjeve të diktaturës komuniste. Topi nuk ka dhënë një reagim publik për këtë çështje dhe vetë ai është shprehur se do të flasë nëpërmjet dekretit. Kushtetuta përcakton se nga data e dërgimit të ligjit në Presidencë, kreu i shtetit ka vetëm 20 ditë afat për dekretim ose jo të ligjit. Në rast se Presidenti vendos firmën, atëherë ligji shkon për botim në fletoren zyrtare dhe priten vetëm 15 ditë që ai të hyjë në fuqi. Me hyrjen në fuqi të ligjit, tashmë pritet ngritja e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare, i cili do të verifikojë të gjithë zyrtarët e shtetit dhe do të lëshojë certifikatën e lustracionit. Miratimi i ligjit i ka hapur rrugën procesit të ngritjes së strukturave të duhura, që do të bëjnë të gjitha hetimet përkatëse. Me hyrjen në fuqi të ligjit, Kuvendi do të duhet të miratojë 5 anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare. Anëtarët e Autoritetit do të votohen të gjithë nga Kuvendi dhe në rast se opozita nuk pranon të japë dy propozimet e saj për anëtarë, atëherë Kuvendi do të miratojë dy figura nga shoqëria civile. Në këtë mënyrë, opozita nuk mund të bllokojë procesin, duke mos dashur të japë emrat e vet. Pas miratimit të anëtarëve të komisionit, ky i fundit do të miratojë të gjithë organikën e tij, i cili do të bëhet nga specialistë të shumtë. Subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Zyrtarët që do të verifikohen janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive e deri tek anëtarët e këshillave bashkiakë apo komunalë. Çdo i përndjekur politik apo çdo person që ka jetuar në atë periudhë dhe ka qenë i bindur se ndiqej dhe spiunohej nga Sigurimi i Shtetit, mund të bëjë kërkesë për t’u njohur me gjithë aktivitetin që ka bërë Sigurimi për personin e tij. Pavarësisht se mund të marrë dosjen operative, viktima nuk mund të marrë si informacion se cili operativ i Sigurimit është marrë me dosjen e tij apo cili bashkëpunëtor i Sigurimit ka spiunuar. Ligji ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.

Hapja e dosjeve, shtohet presioni ndaj Topit për dekretim

Presioni ndaj kreut të shtetit për dekretimin e ligjit të dosjeve është shtuar së tepërmi në ditët e fundit. Një grup shoqatash, ish-të përndjekurit, si dhe diaspora shqiptare kanë kërkuar që Topi të dekretojë ligjin. “Ligji duhet të miratohet. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”, - tha ish-i përndjekuri Tomorr Aliko. “Është e pabesueshme që në shtet të ketë përsëri ish-gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë të sistemit komunist”, - tha kreu i shoqatës “Musine Kokalari”, Agim Musta. Ish-të përndjekurit kanë dërguar letra në presidencë për këtë çështje. “Zoti President, ne përfaqësuesit e shoqatave të ish-të burgosurve dhe të persektuarve politikë, ju bëjmë thirrje ta firmosni këtë ligj sa më parë, në mënyrë që ky ligj të mos mbesë në letër dhe tek shqiptarët të rëndojnë përjetësisht hijet e mospendimit të ndërgjegjes”, - shkruhet në një nga këto letra. Edhe shoqata shqiptare në SHBA “Vatra”, ka kërkuar dekretimin e ligjit të dosjeve.

Fushata elektorale nis 6 muaj para

Rëndësia e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 ka bërë që kësaj here fushata elektorale të fillojë 6 muaj para. Ndonëse zyrtarisht fushata nis 1 muaj para zgjedhjeve, mjaft parti e kanë shpallur zyrtarisht hapjen e fushatës. Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Aleanca Demokratike, Partia Balli Kombëtar Demokrat e shumë forca të tjera, kanë hapur procesin e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme. "Brenda muajit mars të normalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët. Kam besim të plotë se do të jemi forca e parë politike dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme, sepse jemi jo vetëm më të ndershëm se çdo forcë politike, por edhe se jemi më të aftë se çdo parti tjetër", - është shprehur Meta. Edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, është shprehur optimist dhe kërkoi bashkëpunim me PD-në. Të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe anëtarët e PBKD-së. Neritan Ceka nuk ka vendosur nëse do të bëjë fushatë me Ramën apo me Berishën në zgjedhjet e vitit 2009. Ai nuk përjashton edhe LSI-në, si një aleat të mundshëm. "Natyrisht Aleanca Demokratike ka filluar negociatat, nuk kemi konkluduar akoma dhe natyrisht që Lëvizja Socialiste për Integrim është një nga partnerët që ne kemi parashikuar në negociatat tona", - ka thënë Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›