E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ hap pranverën e Frankofonisë

Ceremonia

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u zhvillua dje ceremonia e hapjes së Pranverës së Frankofonisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Me këtë rast, zv.ministri i Punëve të Jashtme, z. Selim Belortaja, mbajti fjalën përshëndetëse ku ndër të tjera tha: “Viti 2010, gjatë të cilit Frankofonia nderohet për shkak të 40-vjetorit të themelimit të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, filloi fatkeqësisht me tragjedi të mëdha, siç ishin tërmetet që goditën Haitin dhe Kilin. Por këto fatkeqësi madhore na dhanë rastin që të punojmë së bashku, duke mëshiruar kështu vlerat e vëllazërisë dhe solidaritetit që na bashkojnë në gjirin e familjes së madhe frankofone”. Gjithashtu, zv.ministri Belortaja theksoi se ashtu siç Parisi është shndërruar në një pikë takimi dhe shkëmbimi mes kulturave nga më të ndryshmet, ashtu edhe Shqipëria është veçanërisht e lidhur me promovimin e shpirtit thelbësor të Frankofonisë, i cili është ndërtuar mbi vlerat e solidaritetit, demokracisë dhe multikulturalizmit. Ceremoninë e përshëndeti edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, e cila e vlerësoi Ditën e Frankofonisë si një ditë të veçantë, që shërben për të thelluar edhe më tej lidhjet e Shqipërisë me vendet e familjes frankofone, veçanërisht sot që ONF feston 40-vjetorin e themelimit të saj. Në përfundim të ceremonisë u shpërndanë edhe çmimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Personalitetin frankofon të vitit 2010. Ky çmim këtë vit shkoi për: Z. Mahir Domi, studiues; z. Genc Pollo, ministër Shteti; z. Besnik Mustafaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme, shkrimtar; znj. Elida Petoshati, diplomate; znj. Iris Pojani, arkeologe; znj. Lumturi Hanku, mësuese e gjuhës frënge; z. Fatos Beja, deputet; z. Spiro Qirko, kardiolog; z. Emin Riza, profesor; znj. Andromaqi Haloçi, profesoreshë e gjuhës frënge; z. Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe ministri i Shtetit, z. Genc Pollo, përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në grup senatorësh francezë, të cilët ndodhen në Tiranë për një vizitë zyrtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›