Serbia refuzon Konferencën e Ballkanit Perëndimor
Përfaqësuesit politikë të Serbisë pritet ta bojkotojnë konferencën e Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbahet në sot në Slloveni, në shenjë proteste ndaj ftesës që kanë marrë liderët e Kosovës për pjesëmarrje nga organizatorët. Sllovenia dhe Kroacia, vendet të cilat po e organizojnë këtë konferencë të përbashkët, parashikuan që në konferencën ballkanike të merrnin pjesë si liderët e Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Por nga ana tjetër, mospjesëmarrja e Serbisë në këtë konferencë të rëndësishme ballkanike, nuk do të ndalojë fluturimin drejt Sllovenisë së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Po kështu, Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, deklaroi dje se mospjesëmarrja e Serbisë në këtë konferencë, nuk ndikon në mbarëvajtjen e aktivitetit. “Konferenca do të zhvillohet, pak rëndësi ka kush merr pjesë në të”, deklaroi kreu i qeverisë sllovene.
Konferenca që do të mbahet sot mbledh pas 20 vitesh për herë të parë bashkë, liderët e vendeve të Ballkanit. Nga ana tjetër nuk është ende e qartë nëse në këtë konferencë ballkanike do të marrë pjesë edhe presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, ndonëse disa raporte bëjnë të ditur se drejtuesi i lartë i BE-së do të jetë pjesë përgjatë gjithë kohës që do të zhvillohet ky aktivitet. Në këtë konferencë do të diskutohet në lidhje me bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë sferën politike dhe ekonomike.
Kjo konferencë do të shërbejë edhe si një hap përpara në përgatitjet për samitin e madh të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit, i cili është planifikuar për t’u mbajtur në qershor të këtij viti, në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë. Po kështu, kjo konferencë ka si qëllim që të thellojë bashkëpunimin mes atyre vendeve të Ballkanit që janë anëtarësuar në Bashkimin Europian, si Sllovenia dhe po ashtu mes atyre që janë në rrugë e sipër për të ecur drejt anëtarësimit të plotë në BE. Shqipëria në këtë konferencë do të përfaqësohet nga Kryeministri Sali Berisha, i cili u nis në orën 19.00 të ditës së djeshme drejt Sllovenisë për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
#