E Hënë, 2 Nëntor 2026

MPPT marrëveshje për furnizimin me ujë të Orikumit

TIRANE- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi si dhe përfaqësuesi i Bankës Islamike, nënshkruan të shtunën marrëveshjen për furnizimin me ujë dhe shërbimet sanitare në Orikum.

Ministri Olldashi theksoi se falë këtij projekti synohet përmirësimi i shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizime për rreth 15000 banorë aktualë të kësaj zone si dhe plotësimi i nevojave për një popullsi në rritje të Bashkisë Orikum deri në 53.000 banorë, shtuar këtu dhe 30.000 turistë që frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit veror. Vlera e projektit është 16.441 milionë dollarë, një financim i Bankës Islamike për Zhvillim dhe Qeverisë Shqiptare.

Projekti përbëhet nga tre komponentë, furnizimi 24 orë me ujë i qytetit të Orikumit, fshatrave të Rradhimës, Tragjasit, Dukatit të vjetër, Dukatit të Ri si dhe të zonës turistike Rradhimë-Orikum. Janë 54.3 km rrjet i ri ujësjellësi që do të ndërtohet dhe që do të bëjë të mundur furnizimin me rreth 150-220 litra ujë në ditë për frymë; ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve për këtë bashki dhe fshatrat e përmendur më sipër.

Janë rreth 30 km kanalizime që do të ndërtohen, shoqëruar në të njetën kohë me ndërtimin e ujësjellësit si dhe me stacionet përkatëse të pompimit; si dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza të Orikumit.
"Ndërtimi i impiantit është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria shqiptare po ndërmer për t'i gjetur një zgjidhje çështjes së bregdetit, jo vetëm në Orikum, por nga zona e Velipojës deri në Sarandë", theksoi Olldashi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›