E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Krujës, të dënuarit kanë me se të vetëvriten



Tiranë - Rreth 70 të dënuarve në Burgun e Krujës u janë gjendur brisqe nëpër qeli. Ka mjaftuar një ankesë e të dënuarit nga ky burg për të zbuluar më pas një sërë skandalesh. Avokati i Popullit, pas inspektimit të Burgut të Krujës, i ka nisur menjëherë relacionin mbi situatën ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra. Burime pranë zyrës së Avokatit të Popullit pohuan dje për gazetën “Albania” se nisur nga një ankesë e paraqitur në prill 2008 për ushtrim dhune ndaj të burgosurit I. K. në Burgun e Krujës, Njësia për Parandalimin e Torturës së bashku me Seksionin e Veçantë të Institucionit të Avokatit të Popullit ushtroi një hetim të veçantë për këtë çështje pranë këtij institucioni.
Inspektimi
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit janë njohur me ngjarjen për të cilën ka ngritur pretendimet i dënuari. Gjithçka ka nisur një ditë kur i dënuari ka refuzuar ushqimin duke pretenduar se nuk ishte cilësor. Gardianët kanë thirrur shefin e regjimit të brendshëm dhe i dënuari, pasi ka bërë debat me të, ka nxjerrë një brisk “Big”, ka thyer tehun dhe ka prerë dorën e majtë tetë herë.
Menjëherë të dënuarit i është dhënë ndihma e parë mjekësore duke e normalizuar gjendjen e tij. Sipas drejtuesve të këtij burgu, i dënuari ishte tentuar disa herë të vetëvritej.
Skandalet
Ankesa e të dënuarit u ka shërbyer përfaqësuesve të Avokatit të Popullit për të zbuluar një sërë skandalesh në këtë burg. Së pari, sipas Dobjanit, Burgu i Krujës, edhe pse është hapur për të dënuarit më të moshuar dhe për ata që vuajnë nga sëmundjet mendore, në organikën e këtij burgu nuk figuronte i plotësuar vendi vakant i një mjeku psikiatër. Shkelja tjetër kishte të bënte sërish me të dënuarin që ishte ankuar pasi i burgosuri I. K. nuk figuronte nga dokumentacioni i kartelës mjekësore si i sëmurë mendor, ndaj dhe mbajtja e tij në IEDP-në Krujë ishte në kundërshtim me Urdhrin e ministrit të Drejtësisë Nr. 1450 datë 09.03.2007 “Për kategorizimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale”. Ne këtë urdhër parashikohet, midis të tjerash, se në IEDP-në Krujë do të mbahen vetëm të moshuar dhe të burgosur me sëmundje mendore. Nisur nga ngjarja në fjalë, si dhe duke ditur rrezikshmërinë për vetëvrasje, jo vetëm të këtij të burgosuri, por dhe rreth 70 të burgosurve të tjerë që vuajnë nga sëmundje mendore, administrata e këtij burgu nuk ka marrë masat për heqjen e të gjitha mjeteve që mund të shkaktojnë dëmtime trupore deri dhe humbje të jetës së të burgosurve. Sipas drejtuesve të regjimit të brendshëm, ekziston një shërbim berberhane që ofrohet nga burgu, por ky shërbim nuk përfshin tualetin e fytyrës të të burgosurve. “Ndaj, duke u kryer ky shërbim personalisht nga të burgosurit me anë të mjeteve të mprehta dhe pa mbikëqyrje, mund të shkaktohen ngjarje të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre”, - thuhet në relacionin e Dobjanit.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›