Dhuna në familje, policia, brenda muajit 20 kërkesëpadi në Prokurori
Tiranë - Vetëm për qershorin strukturat e komisariateve të Policisë së Tiranës dhe seksioni Koordinator i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje kanë plotësuar 20 kërkesëpadi për të dëmtuarat, nga ku është lëshuar Urdhri i Mbrojtjes, brenda 2 javësh nga Gjykata e Tiranës. Burime policore thanë për gazetën se për këtë periudhë janë kryer 13 veprime procedurale për veprat penale të ndodhura brenda ambienteve familjare, të cilat i janë referuar në hetim të lirë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Po ashtu, uniformat blu kanë asistuar dhe bashkëpunuar në ngjarjet e ndodhura brenda ambienteve familjare ku veprimet procedurale janë kryer menjëherë nga komisariatet apo seksionet e posaçme. Puna e policisë është fokusuar mbi saktësimin e rasteve për të miturit, në të gjitha rastet (dëshmitar, autor apo viktimë). Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve është përgatitur një material studimor mbi kuadrin ligjor të të miturve, i cili iu është shpërndarë të gjitha strukturave të policisë dhe të seksioneve të posaçme në rastet kur ata punojnë me një mitur.
Në shumë raste specifike dhe delikate, në krimet e ndodhura brenda familjes, është bashkëpunuar me një sërë OJF-je, të cilët ndihmojnë duke dhënë asistencën e tyre për raste delikate që kanë nevojë për ndihmë apo dhe për mbështetjen e strehimin e të dëmtuarve. Bazuar në Ligjin e miratuar Nr. 9669 datë 18.12.2006, “Mbi masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, seksioni i posaçëm pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka arritur parandalimin e këtij fenomeni antiligjor. Ndërkohë, punonjësit e Policisë së Rendit të shtrirë në komisariate, pas lëshimit të urdhrit të Mbrojtjes nga Gjykata për të dëmtuarat, marrin masa të plota për zbatimin me korrektësi të vendimit të gjykatës.
Abuzimi me pensionet, Prokuroria hetonte prej dy muajsh tre ish-drejtues të Minierës së Priskës
TIRANË - Tre ish-drejtuesit e Minierës së boksiteve në Priskë të Tiranës, të cilët u arrestuan dy ditë më parë për “korrupsion” në dhënien e pensioneve, ishin prej dy muajsh nën hetimin e Prokurorisë së Tiranës. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur të shtunën për gazetën se hetimet ndaj tyre morën shkas nga kallëzimet penale të bëra nga Drejtoria Rajonale e Sigurime Shoqërore dhe Policia e Tiranës për mashtrime me pensionet e pleqërisë. Sipas të njëjtave burime, grupi hetimor ka siguruar gjatë kësaj periudhe materiale hetimore që dëshmojnë se tre ish-zyrtarët e Minierës së Priskës mund të jenë përfshirë në favorizimin me qëllim në përfitimin nga disa persona të pensioneve të pleqërisë përmes dokumenteve false. Burimet e mësipërme pohuan se do të jenë hetimet në vazhdim ato që do të sqarojnë përfundimisht pozicionin e tre të arrestuarve në çështjen e abuzimit me pensionet e pleqërisë. Forcat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan dy ditë më parë Qazim Lacin, ish-drejtor i Minierës së boksiteve në Priskë të Tiranës, Fatmir Sulaj, ish-shef kuadri në këtë minierë dhe Rabie Pupla, ish-shefe e seksionit të verifikimit të sigurimeve shoqërore të minierës. Këta persona dyshohen se janë implikuar në dhënien e pensioneve për dhjetëra persona, që nuk kanë punuar në Minierën e Priskës.
30 Qershor 2008