E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH: Projektligji për shëndetin publik, mbrojtës nga efektet mjedisore

Projektligji "Për shëndetin publik" synon mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga efekte të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga faktorët mjedisorë. Drafti i projektligjit u prezantua disa ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky projektligj, i cili aktualisht është në proces miratimi, konsiderohet nga MSH-ja si ndër më të rëndësishmit e sistemit shëndetësor. Ligji paraqitet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të rregullojë dhe të harmonizojë të gjitha problemet e shëndetit publik. Ai është përgatitur me asistencën teknike të OBSH. "Shëndeti mjedisor përfshin tërësinë e masave për mbrojtjen e shëndetit nga efekte të drejtpërdrejta në shëndet nga faktorët mjedisorë, si agjentët fizikë, kimikë dhe biologjikë, si dhe efektet e tërthorta në shëndet dhe mirëqenie nga faktorët psikosocialë, ku përfshihen stresi, strehimi, zhvillimi urban, përdorimi i tokës dhe transporti", pohuan të enjten për ATSH-në burime nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH-së, "tërësia e masave në shëndetin mjedisor përfshin monitorimin e mjedisit, sigurinë ushqimore, mbikqyrjen e normave higjieniko-shëndetësore, vlerësimin e ndikimit të mjedisit në shëndet, edukimin qytetar për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit dhe ndërhyrjet për eliminimin apo minimizimin e ndikimit të efekteve mjedisore të drejtpërdrejtë, apo të tërthorta në shëndet". Tërësia e masave në shëndetin mjedisor, sipas projektligjit, ushtrohen në sektorët shtetërore, privatë, veprimtaritë e ndryshme të ushtruar nga persona fizikë e juridikë, vendas e të huaj, në objektet e prodhimit, të ruajtjes, magazinimit e transportimit, si dhe tregtimit të produkteve të të gjitha llojeve dhe në të gjitha kategoritë e punimeve minerale.      

Email This Klikime: 13

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›