Dritëro Agolli: Nano, një krunde që nuk ia vlen të përziesh
Ish-themeluesi i Partisë Socialiste dhe shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, ka bërë kritika të ashpra në drejtim të ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Agolli ka komentuar intervistën televizive të ish-kryeministrit socialist, i cili adresoi akuza të ashpra në drejtim të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas shkrimtarit të njohur, Nano është bërë për të ardhur keq, sepse, sipas tij, ka përfunduar në nivelin e njeriut që merret me thashetheme. “Nano vërtet jeton në Vjenë, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës në Europë, por ai sikur nuk vinte nga Vjena, por nga qenefet e Vjenës. Një keqardhje e madhe ku mund të përfundojë njeriu, por edhe fjalët, jo vetëm të këqija, por edhe thashetheme, d.m.th. një diskutim në televizor me thashetheme, filani ka thënë kur dëgjoi që erdha unë, filani ka thënë kështu”, - u shpreh Agolli. Madje, figura emblematike e PS-së nuk ka kursyer edhe ironinë në drejtim të Nanos. Duke iu referuar faktit që Rama nuk i ktheu përgjigje Nanos pas deklaratave të tij gjatë një interviste, Agolli u shpreh: “Populli e thotë shumë mirë atë shprehjen, që po u përzjeve me krundet, të hanë pulat. Më mirë me krundet nuk duhet të përziesh”, - tha shkrimtari i njohur pas takimit që pati dje në shtëpinë e tij me kryetarin e sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Rama. Agolli paralajmëroi gjithashtu edhe probleme në funksionimin e qeverisë së re, të cilën e quajti të paaftë për të marrë vendime të rëndësishme për shkak të numrave në Kuvend. “Është një qeveri me këmbë shumë të shkurtra, është qeveri xhuxhe, sepse vendime të mëdha ajo nuk merr. Vendimet e mëdha merren nga 84 deputetë”, - vijoi ai. Edhe gjatë zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Socialiste, Agolli doli në mbështetje të Ramës, duke kritikuar zërat e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste, si deputetët Arben Malaj dhe Ben Blushi. Sipas tij, thirrja për bojkotin e zgjedhjeve në parti është një veprim më i gabuar sesa bojkoti i Kuvendit.
29 Shtator 2009