E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vështirësi, pak punonjës dhe shumë kërkesa

06/02/2009  Drejtori i AKKP-së Shkodër: Njësitë vendore tepër të avashta

SHKODER- Agjencia rajonale e Kthimit dhe e Kompensimit të pronave në Shkodër po përballet me vështirësi të shumta. Sipas kreut të kësaj Agjencie, Besnik Kastrati, problemet kanë dalë jo vetëm nga numri jo i mjaftueshëm i personelit, por edhe nga fluksi i madh i qytetarëve që paraqiten pranë kësaj zyre për sqarime të ndryshme, pa harruar numrin e shumtë të dosjeve që duhen shqyrtuar. Nga ana tjetër problemi që i shtohet kësaj zyre janë dhe vonesat në kthimin e përgjigjeve nga ana e njësive vendore të fshatrave dhe qyteteve të qarkut të Shkodrës. Këto probleme janë bërë dhe shkak për verifikimin dhe kthimin e përgjigjeve në kohën e duhur për kërkesat e qytetarëve të ndryshëm. Nga ana tjetër Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Shkodër po përballet dhe me një fluks tepër të madh qytetarësh, të cilët paraqesin kërkesa për pronat e tyre, ndonëse e dinë se afati për këto kërkesa ka përfunduar më datë 31dhjetor të vitit të kaluar. Ky fluks si dhe numri i pakët prej 8 punonjësve të kësaj zyre ka sjellë dhe mos arritjen e kthimit të përgjigjes brenda afatit 3-mujor që parashikon ligji. Sipas drejtorit Kastrati, 8 punonjësit e AKKP Shkodër kanë në dorë plot 1300 kërkesa, çka e bën të pamundur kthimin e përgjigjeve në kohë. Për të mos krijuar probleme me qytetarët, drejtori Kastrati propozon ose të shtohet numri i personelit të AKKP-së Shkodër, ose të zgjatet afati i kthimit të përgjigjeve. Nga ana tjetër Kastrati u bën thirrje njësive vendore që të mos bëhen pengesë me zvarritjet e tyre për të kthyer përgjigjet që u kërkohen, por të respektojnë afatin 10 ditor që parashikon ligji. Respektimi i këtij afati po bëhet vetëm nga ana e Bashkisë së Shkodrës, ndërkohë që bashkitë dhe komunat e tjera i zvarrisin përgjigjet nga 10 ditë deri në 1 vit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›