E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë sensibilizimi për mbrojtjen e mjedisit

06/02/2009  Bashkia e Tiranës

Informimi i publikut në lidhje me situatën mjedisore do të jetë synimi i projektit më të ri të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, nismë e cila do të afrojë më shumë publikun rreth mesazhit të jetesës në një ambient të shëndetshëm. Gjatë tre muajve të ardhshëm fushata do të shtrihet në të gjithë kryeqytetin. Kjo nismë synon të gjejë interes të gjerë publik si rrjedhojë e aktiviteteve të larmishme që do të zhvillohen, duke u fokusuar tek tema e mjedisit, me nëntema riciklimin e mbetjeve urbane, reduktimi i mbeturinave, gjelbërimi dhe përmirësimi i ajrit. I pranishëm në nisjen e këtij projekti ishte dhe kreu i Bashkisë Edi Rama, i cili vizitoi se do të konsiderohet si elementi qendror i fushatës pavijoni i xhamtë në sheshin “Skënderbej”. Ky pavijon pas ekspozimit të planit rregullues, do të jetë një pikëtakimi për të gjithë aktorët e kësaj fushate, si dhe një vend nga ku mund të shpërndahen informacione, të rrihen ide dhe të organizohen leksione mbi temën e qytetit dhe mjedisit. Materialet e shkruara do të jenë të pranishme aty në forma të ndryshme, si fletëpalosje informative apo tabela krahasuese, me qëllim sensibilizimin e grupeve të ndryshme komunitare. “Dua ta vë theksin te fakti se ky është një mjedis, një hapësirë ku të kenë vendin e tyre fëmijët, të rriturit, do të kenë vendin e tyre ekspertët e fushës, të cilët janë të ftuar brenda programit tonë të leksioneve të informojnë komunitetet”, - është shprehur Rama.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›