E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zërat e banorëve në vesh të shurdhët, tymrat e fabrikës në qiell të hapur

Përveç ndotjes që sjellin gropat e gëlqereve një tjetër problem është edhe ai i Fabrikës së Çimentos në këtë zonë. Prej disa vitesh fabrika e çimentos në afërsi të qytetit të  Krujës është kthyer në një gangrenë. Ndotja e ajrit është bërë në mënyrë masive për shkak të kushteve të papërshtatshme që ofron kjo fabrikë. Masat që ajo ka marrë për mbrojtjen e ambientit si  dhe për të mos ndotur ajrin janë në nivelet zero. Gjë e cila ka shkaktuar ndotje masive në zonat përreth si dhe probleme të shumta. Kanë qenë të shpeshta protestat e qytetarëve të atyre zonave të cilët kanë ngritur zërin për ndalimin e kësaj pune pa kriter. Ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët pasi deri më tani drejtuesit e fabrikës së çimentos që është në këtë zonë nuk kanë ndërmarrë as edhe një masë. Protestat më të fundit u zhvilluan vetëm pak ditë më parë ku banorët e fshatrave Zallë dhe Kadias në afërsi të Fushë-Krujës, kërkuan ndërprerjen e punës në këtë fabrikë ose marrjen e masave për filtrimin e tymrave. Ata tentuan të bllokonin rrugët hyrëse në fabrikë dhe të ndalonin automjetet e saj për të hyrë në mjediset e punës. Puna u ndërpre për disa orë por më pas vazhdoi normalisht. Banorët kanë njoftuar se protestat do të jenë më të shpeshta dhe do të shkojnë deri në protesta masive apo të shoqëruara edhe me grevë. Ata kërkojnë që drejtuesit e kësaj fabrike çimentoje të mbajnë premtimet që dhanë një vit më parë madje i kanë të nënshkruara edhe në kontratë. Ata ju kanë premtuar këtyre banorëve banesa në zona të tjera më të largëta si dhe kompensimin me para për ilaçet dhe shërbimet spitalore. Kjo pasi shumë nga ata banorë janë të sëmurë për shkak të tymrave. Gjithashtu tymrat dhe gazrat që dalin nga oxhaqet e kësaj fabrike kanë dëmtuar së tepërmi edhe bimësinë e kësaj zone si dhe të mbjellat e këtyre fshatrave, duke dëmtuar rëndë edhe ekonominë e tyre.
Guroret po shembin Krujën
Themelet e qytetit të Krujës po tronditen nga dita në ditë. Puna disa vjeçare që kanë nisur guroret në hyrje të qytetit është kthyer në një gangrenë për qytetin. Puna e tyre e përditshme pa as edhe një lloj kriteri ka krijuar probleme të shumta. Gërmimet masive për nxjerrjen e gurëve jo vetëm që e kanë shëmtuar hyrjen e këtij qyteti por kanë krijuar edhe erozione. To kanë mbetur hapësira djerre dhe në gjendje skandaloze ndërkohë që puna vazhdon me ritme të shpejta për çdo ditë duke qenë se askush nuk i ndalon e as nuk i penalizon. Asnjëra nga firmat e guroreve nuk i zbaton aspak rregullat e punës por punojnë pa kritere.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›