Festa e Pashkëve, fluks emigrantësh në portin e Durrësit
Festa e Pashkëve ka sjellë në portin e Durrësit një numër shumë të madh emigrantësh që kanë mbërritur për të festuar me të afërmit e tyre. Në kapitenerinë e Durrësit është thënë se vetëm mëngjesin e djeshëm janë përpunuar pese tragete të ardhura nga brigjet italiane dhe se numri i udhëtarëve ka kapur shifrën e 1 200 shtetasve. Pashkët Katolike por edhe ato ortodokse pas një jave kanë nxitur edhe dyndjen e madhe të emigrantëve për të festuar në shtëpitë e tyre, duke regjistruar në këtë mënyrë numrin më të madh të shtetasve në hyrje në portin e Durrësit që nga fillimi i këtij sezoni.
Dhjetë ditët e para të këtij muaji janë përpunuar 4923 shtetas shqiptarë dhe 3171 të huaj me rreth 2500 automjete gjithsej. Porti, dogana, kapiteneria dhe Drejtoria e Migracionit dhe Kufirit kanë marrë paraprakisht të gjitha masat për përpunimin në kohë të udhëtarëve. Ashtu si dhe sezonin e verës së lënë pas, të gjitha sportelet në terminalin e trageteve dhe në pikat e kontrollit në terminalin e udhëtarëve kanë funksionuar me kapacitet të plotë për të përballuar ardhjen e emigrantëve për këtë festë. Kapiteneria ka thënë se ka pasur edhe shtesë të trageteve nga Bari që është edhe pika e grumbullimit më të madh të emigrantëve që udhëtojnë drejt portit pritës të Durrësit Për të shmangur çdo rrëmujë në terminalin e trageteve si dhe në pikën e kontrollit kanë qëndruar vetë drejtuesit e policisë kufitare si dhe ata të rendit. Ndërsa efektivat blu janë urdhëruar të kujdesen për gra, fëmijë e të moshuar, të cilët kanë një kënd më vete në sallë së bashku me infrastrukturën më të domosdoshme. Burime nga policia kufitare e Portit të Durrësit, sqarojnë se një fluks i konsiderueshëm emigrantësh pritet të zbarkojnë në Portin Detar të Durrësit ditën e sotme. Pritja e këtij fluksi ka vënë në lëvizje autoritetet portuale për përballimin pa probleme të tij, për të larguar pakënaqësinë që rëndom emigrantët shqiptarë dhe ata kosovarë marrin teksa kthehen për pushime dhe festa në atdhe. Megjithatë në lidhje me numrin e personave në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit, shifrat e tremujorit të parë të vitit 2009 flasin për një rënie të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas burimeve zyrtare të Autoritetit Portual të Durrësit për tremujorin e parë janar, shkurt dhe mars 2009 janë përpunuar 125 558 pasagjerë në hyrje dhe dale, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit 2008 kjo shifër ka qenë 4961 pasagjerë më shumë.