E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH vlerëson Progres raportin e KE

TIRANË- Në një dalje publike, zëdhënësja e MSH, Alisa Demollari, tha se "Progres raporti evidenton qartë arritjete në legjislacionin shqiptar me miratimin e ligjit të shëndetit publik, por në mënyrë të veçantë ligjin për transfuzionin e gjakut dhe standardeve të sigurisë së tij, të ngjashme me ato të Bashkimit Europian". "Janë për t’u shënuar vlerësimet e bëra në progres-raport për masat e marra lidhur me kontrollin e pandemisë së gripit", tha Demollari, sipas së cilës, "Progres raporti me të drejtë vë në dukje nevojën për intensifikimin e luftës kundër duhanit dhe zbatimin e legjislacionit përkatës". Me këtë rast, MSH angazhohet publikisht për një luftë pa kompromis ndaj pirjes së duhanit, ku ai ndalohet me ligj dhe për këtë qëllim me qindra inspektorë do të ushtrojnë kontrolle intensive, si dhe duke marrë çdo masë adminsitrative për çdo shkelës ligji pa dallim. "MSH vlerëson kontastimet e këtij Progres raporti në fushën e shëndetit mendor, lidhur me investimet e bëra dhe legjislacionin e miratuar, si dhe mirëkupton vërejtjet e raportit për të bërë akoma më shumë në këtë drejtim", theksoi Demollari. Në vlerësim të këtij Progres-raporti, sipas saj, MSH do të rishikojë ato pjesë të axhendës dhe strategjisë së saj që kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme dhe do të konsolidojë arritjet e sistemit shëndetësor shqiptar të vlerësuar objektivisht në Raport.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›