Formulari A3, sot afati i fundit për depozitimin e kërkesave
TIRANE-Dita e sotme është afati përfundimtar për të gjithë kandidatët për studentë që duan të aplikojnë në formularin A3. Të rinjtë duhet të depozitojnë në drejtoritë arsimore kërkesat e tyre për të përfituar nga aplikimet e formularit të fazës së fundit, me qëllim që pas disa ditësh të nisin procedurat për plotësimin e A3. "Kandidatët të paraqiten në drejtoritë arsimore deri në datën 16 tetor 2009, ora 18:00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3", - thekson udhëzimi i Ministrisë së Arsimit. Pas depozitimit të kërkesës, të gjithë kandidatët, ata që nuk janë listuar si fitues apo të rinjtë që nuk janë regjistruar ende, do të mund të plotësojnë formularin A3. "Formulari A3 do të shpërndahet në drejtoritë arsimore më 21 tetor 2009, nga ku do të tërhiqet nga kandidatët, të cilët duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar deri më 26 tetor", - përfundon udhëzimi i firmosur nga ministri Myqerem Tafaj. Pas një periudhe prej katër ditësh, kandidatët do të marrin një përgjigje përfundimtare mbi të drejtën e studimit që kanë zgjedhur, përgjigjet e të cilit do të afishohen pas rishpërndarjes së kuotave që do të bëjë APRIAL. Pas shpalljes së fituesve, regjistrimi do të bëhet pranë fakulteteve nga data 1 deri në 4 nëntor, fazë kjo e cila do të jetë edhe e fundit për pranimet e maturantëve në universitetet e vendit. Ndërkaq, kandidatët që janë regjistruar një herë dhe preferojnë degë tjetër, do të çregjistrohen dhe do të rinisin procedurat nga e para pas shpalljes fitues nga lista e re e Ministrisë së Arsimit. Pas mbylljes së fazës së dytë të regjistrimeve, numri i kuotave të mbetura bosh në të gjitha universitetet arriti në plot 2257 vende. Universiteti i Tiranës ka aktualisht plot 267 kuota të paplotësuara, 210 vende në Universitetin Politeknik dhe 155 në Universitetin Bujqësor. Një numër të konside-rueshëm kuotash ka edhe në universitetet e tjera nëpër rrethe, të cilat do të vijojnë plotësimin e tyre sipas fazës së tretë të regjistrimeve të parashikuara nga Ministria e Arsimit.
(s.g. BalkanWeb)
(s.g. BalkanWeb)