MTKRS hesht për Shtëpinë e Republikës, Shkreli: Vlerë arkitekturore
Godina ku u ngrit flamuri dhe u shpall Republika Autonome e Korçës, veç një vlerë të pazëvendësueshme historike, ka edhe vlera arkitekturore të diktuara këto nga teknika e ndërtimit të saj. Arkitekti Artan Shkreli, pak ditë pas shembjes së kësaj godine dhe shndërrimit në gërmadhë thekson se është skandal që përfaqësues të institucioneve shtetërore flasin për mungesë të vlerave arkitekturore për një ndërtesë të tillë.
“Ajo shtëpi e shembur e cila tanimë nuk është më, ka qenë një nga shtëpitë më të rëndësishme arkitekturore në Shqipëri. Është ndërtuar në vitet ’80-të të shekullit XIX, një periudhë kur ndryshon tipologjia e banesës korçare dhe me radhën e këtyre lloj shtëpivë, sikurse ishte ajo që u prish, hapet një epokë tjetër sa i takon fushës së arkitektuarës. Në këtë rast ndeshemi jo vetëm me harbutëri të pronarëve por edhe me injorancë të drejtuesve të institucioneve shtetërore që e cilësojnë atë me vlera të pakonsiderueshme shtetërore”.
Mirëpo, 1 javë pas shkatërrimit të kësaj godine, monument kulture i kategorisë së parë, në Ministrinë e Kulturës përballemi me heshtje dhe mungesë informacioni kur pyesim se si do të procedohet me kërkesën e kryebashkiakut Niko Peleshi për financimin e rindëtimit të saj. Jo zyrtarisht na thonë se nuk mund të flasin sepse është çështje tejet delikate për të cilën do të prononcohet vetëm Ministri i Kulturës Aldo Bumçi.
Artan Lame i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Historike shprehet: “Ky është rast unik në botë që pas një skandali të këtyre përmasave, as ministri i kulturës dhe as kryeministri nuk janë shprehur për këtë çështje dhe as kanë qenë në vendin e ngjarjes. Skandali thellohet kur ende nuk ka asnjë reagim për kërkesën e kryebashkiakut të Korçës, Niko Peleshi i cili ka ofruar fondet e qytetit për rindërtimin e saj, nuk ka një reagim nga Ministria e Kulturës”.
Me shembjen e saj, sipas studiuesit Gjerak Karaiskaj, ish-kre i Monumenteve të Kulturës do të thotë automatikisht heqje nga lista e monumenteve, pasi kjo godinë nuk është më. Por ç’mund të ndodhë pas këtij shkatërrimi?
“Në ligj nuk përcaktohet arsyeja e shkatërrimit, por cilado arsye që të jetë, ligji të detyron ta rindërtosh gadinën dhe ajo duhet domosdoshmërisht të ketë vëllim jo më të madh se ajo ekzistuesja. Tani lind një çështje tjetër, kjo ndërtesë e re, e cila teorikisht i bie që është një kopje e asaj të parës por që nuk ka vlerat e saj,a do të shpallet sërish monument kulture apo jo? Ky vendim i mbetet ta marrë Ministria e Kulturës…! Asgjë nuk e pengon ta bëjë sepse ajo mbetet një godinë që ka vlera të mëdha të lidhura me ngjarjen që shënohet”-thekson studiuesi Karasikaj. Ai sjell në vëmendje raste si ai i Varshavës e cila nga bombardimet e ushtrisë naziste, ju zhbënë vlera të mëdha, ndërtesa të cilat u ringrintën indentike si ato që ishin. Sot ato ndërtesa janë jo vetëm pasuri kombëtare dhe monumente të pazëvendësueshme, por tani kanë hyrë në listën e UNESCO-s dhe janë pasuri e njerëzimit.
Sipas Profesor Karaiskajt, janë vendime këto të marra për të mbrojtur zhdukjen e këtyre monumenteve nga forca të errëta, që në rastin e Varshavës u zhbënë nga nazizmi, ndërsa këto janë shkatërrime për interesa shumë më të vogla.
Po ç’rëndësi ka kjo ngjarje historike të cilën e ka personifikuar kjo godinë që sot është një gërmadhë. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta pohon se ngritja e flamurit në Korçë ishte vendimtare për mbetjen e Korçës në Shqipëri dhe jo nën Greqi.
“Kjo marrëveshje u arrit në luftë dhe për këtë arsye është e një rëndësie të veçantë. Kur kishte filluar Konferenca e Paqes sërish u hap rreziku grek pasi edhe Franca kishte lëvizur nga pozicioni i saj por edhe fuqitë e tjera të antantës ishin të gatshme t’i bënin koncesione grekëve. Por ama ajo ngjarje historike, marrëveshja shqiptaro-franceze, shpallja e Krahinës Autonome të Korçës ndikoi shumë sepse i la grekët jashtë Korçës. Nëse grekët do kishin qenë brenda Korçës, në historianët nuk bëjmë shumë supozime por do thoja që situata do kishte qenë shumë e vështirë për rivendosjen e kufijve politikë të vitit 1913, që u bë pastaj në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1921. Dhe ndërtesa ka vlera të mëdha pasi është një moment kyç afirminin e identitetit kombëtar të shqiptarëve”-deklaron historiani Beqir Meta.
Më 10 dhjetor 1916 më ne krye Themistokli Germenjin, patriotët e zonës në bazë të protokollit dhe marrëveshjes qyteti i Korçës, Kolonjës, Bilishtit dhe zonave përreth përbënin Krahinën Autonome, që do të administrohej nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Në vitin 1978, në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kjo godinë u shpall shtëpi muze pasi ju nënshtrua një restaurimi tërësor. Pas viteve ’90-të thuhet se ajo shndërrua në bilardo për një periudhë kohe.
