Arratisja e të burgosurit shqiptar, alarmohen autoritetet greke
Greqi- Arratisja djeshme e te burgosurit shqiptar ka vënë në alarm policinë greke të Janinës dhe Thesprotisë, e cila është në gatishmëri përgjatë kufirit greko-shqiptar, pasi dyshohet se i dënuari që i shpëtoi burgut të Nafplios, mund të përpiqet të hyjë në Shqipëri.
Ministri grek i drejtësisë, Kostas Karagunis kërkoi një hetim paraprak për rastin e “rrëmbimit” të një të dënuari, nga spitali i Nafplios. Rojet e të burgosurit nuk konsiderohen si të dyshuar, por si dëshmitarë të ngjarjes.
Ndërkohë raportet tregojnë se bashkëpunëtorët që ndihmuan shqiptarin të shpëtojë, ishin parë që një ditë më parë në Nafplio, ndërsa në spital kanë pritur rreth gjysmë ore më herët.
Mediat greke kanë bërë të ditur se i burgosuri i arratisur është shtetasi shqiptar etredi Alkibiadi. 40-vjeçari shqiptar vuan dënim prej 20 vjetësh burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grabitje me armë.
Ngjarja e pazakontë ndodhi rreth orës 11:00 të paradites të së hënës në oborrin e spitalit të këtij qyteti, në kohën kur 40-vjeçari shqiptar, po dërgohej për kurim.
Policia thotë se dy persona të cilët mbanin në duar kallashnikovë kërcënuan gardianët dhe nën kërcënimin e armëve morën me forcë të dënuarin.
Forca të shumta policie kanë filluar një operacion për gjetjen e të dyshuarve, të cilët sipas dëshmitarëve janë larguar në bordin e një Audi në drejtim të pa ditur. Nëse bëhet fjalë për rrëmbim personi atëherë ky do të jetë rasti i parë në Europe ku një i dënuar sekuestrohet prej keqbërësve në shoqërinë e policëve të armatosur.
/IDEA/