E Diel, 1 Nëntor 2026

MTKRS-ja akordon fondin, Begaj: Nuk ishte presion

MTKRS-ja ka reaguar menjëherë ndaj apelit të peshëngritëses Romela Begaj, e cila vetëm një ditë më parë kishte kërkuar që t‘i jepeshin shpërblimet që i takonin për tre medaljet e marra në Kampionatin Evropian. Në një konferencë për shtyp, zv/ministri Ekrem Spahia ka saktësuar se fondi i akorduar për Kampionen e Evropës ishte akorduar menjëherë pasi kishin mbërritur edhe rezultatet e antidopingut. Por çudia më e madhe në këtë konferencë ka qenë deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja, i cili ka sulmuar mediat që publikuan shqetësimin e shtangistes.

Kraja ka aluduar se mediat kanë përdorur Begajn për t‘i bërë presion shtetit shqiptar. "Unë kritikoj klane ose struktura të ndryshme, të cilat duan të mos njihen arritjet e sportit shqiptar dhe veçanërisht peshëngritjes shqiptare, të cilat në mënyrë ndoshta ‘të dhunshme‘ e marrin një sportiste dhe e vendosin në një kabinë për t‘i bërë presion shtetit shqiptar dhe të gjitha strukturave të sportit", ishte deklarata e Krajës. Por, menjëherë ka ardhur edhe reagimi i peshëngritëses, e cila ka bërë të qartë se ka kërkuar ajo vetë që problemi i saj të bëhet publik. Begaj ka insistuar se këtë e ka bërë për të marrë atë që i takonte dhe jo për të bërë presione ndaj individëve apo institucioneve të veçanta. "Unë vetë kam kërkuar gazetarët ku u thashë të më ndihmonin për një intervistë në të cilën të them problemet që akoma nuk më janë zgjidhur. Shpresoj që të zgjidhet ky problem, pasi Olimpiada po afron. Unë nuk kam as fonde që të blej vitaminat që më kushtojnë shumë. Në punë tjetër nuk jam dhe normalisht nuk e përballoj dot. Dua të them që nuk po bëj as presion dhe as po kërcënoj njeri. Thjesht po tregoj çfarë dua ose çfarë më takon", ishte apeli i Begajt që ka hedhur poshtë aludimet e sekretarit Kraja. Ndërkohë, trajneri i peshëngritëses, Hektor Shaqiri, ka saktësuar se vonesa e akordimit të fondit ishte e pashpjegueshme, pasi kishte kaluar prej kohësh afati 21-ditor nga fundi i aktivitetit. "Nuk kthehet përgjigje kur rezulton negativ në testet antidoping. Përgjigjja vjen vetëm në rastet kur rezulton pozitiv, siç ndodhi me Fetije Kasajn një vit më parë", deklaroi Shaqiri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›