Mainc: Në garën për Jahmir Hykën, kaluam 10 klube
Drejtuesit e Mainc 05 vazhdojnë të jenë të entuziazmuar për blerjen e Jahmir Hykës. Mesfushori i kombëtares, i cilësuar me përkëdheli si "Maradona i Ballkanit", vazhdon të marrë vlerësime për kualitetin e tij. Kristian Heidel, menaxheri i skuadrës që militon në Bundesligën II gjermane, tha se 20-vjeçari mund të mos jetë (Mikael) Balak, por në garën për të marrë shërbimet e tij, Mainc mposhti konkurrencën e dhjetë klubeve. "Deri më tani mund të them se bilanci i merkatos së klubit është pozitiv. Afruam në skuadër Jahmir Hykën, të cilin e kërkonin edhe dhjetë klube të tjera", tha Heidel. "I kemi përgatitur shumë mirë të gjitha ofertat që kemi bërë, në të kundërt tashmë lojtarët do të ishin pjesë e skuadrave të tjera". Më tej, menaxheri vazhdoi: "Mbase nuk blejmë dot Balak, por politika jonë është e qartë, të blejmë lojtarë të rinj që mund të rriten te Mainc e më pas t‘i shesim duke sjellë të ardhura për arkat e klubit. Na kritikuan shumë, pasi blerja e Hykës u shoqërua me shitjen e 19-vjeçarit Subotiç te Borusia e Dortmundit për 5 milionë euro. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përfituar afro 10 milionë euro dhe do të vazhdojmë të ndjekim këtë rrugë".