MTKRS zgjidh qesen, më shumë para për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve bën ndarjen e buxhetit për vitin 2010
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve bën ndarjen e buxhetit për vitin 2010. Në fokus të këtij viti në buxhet më shumë para janë dhënë për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, të cilat janë parë si prioritare nga ky institucion. Një pjesë të konsiderueshme të buxhetit zë dhe turizmi, për të vijuar më pas me sportin dhe projekte që kanë të bëjnë me kultet. Burime pranë kësaj ministrie bëjnë të ditur se ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se
projektet apo investimet e këtij viti do të jenë më së shumti në art dhe kulturë, të cilat do të ndikojnë dhe në turizmin e vendit. Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor, duke qenë të lidhura ngushtë, edhe investimet në secilin prej tyre duket se i shërbejnë njëri-tjetrit. Nga ndarja që i është bërë këtë vit buxhetit, i cili në total arrin shifrën 2.594.851.000 lekë, prej kësaj shumë për artin dhe kulturën janë dhënë 1.014.100.000 lekë, të cilat do të përdoren për këtë fushë, ku nga kjo vetëm për projektet do të shkojnë 156.000.000 lekë. Kjo shifër në fakt krahasuar me atë të një viti më parë ka ardhur duke u zvogëluar sa i takon projekteve, pasi një vit më parë ajo ka qenë rreth 157.000.000 lekë. E ndërkohë që për turizmin këtë vit janë akorduar në total fondi 315.558.000 lekë dhe për projektet do të shkojnë 46.000.000 lekë. Për Kultet nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve është akorduar fondi 122.100.000 lekë ndërsa sa i takon projekteve shifra arrin në 100.000.000 lekë. Më dobët në buxhetin e MTKRS për këtë vit është fondi për rininë, me një fond total 16.000.000 lekë, i cili shkon i tëri për projektet dhe investimet sa i takon fushës së rinisë. Në buxhetin e këtij viti Ministria e Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin total për trashëgiminë kulturore, muzetë dhe kultet arrijnë shifrën 683.963.000 lekë, ndërsa sa i takon projekteve në këtë fushë buxheti arrin shumë 20.000.000 milion lekë. Sa i takon sportit këtë vit buxheti është 296.000.000 lekë në total, sa i takon projekteve ai shkon në 142.000.000 lekë. Nga shpërndarja që i bën buxhetit këtë vit Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve duket se në qendër të vëmendjes ashtu si dhe në vitet e kaluara do të jenë fushat e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të cilat të ndërthurura sëbashku do të jenë në funksion të turizmit, ky është dhe shpjegimi që bëjnë specialistët nga MTKRS. Sa i takon buxhetit total të Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve nga drejtoria ekonomike pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se këtë vit ka një rritje të tij. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur se një vit më parë buxheti në total arrinte shifrën 2.119.104.000 lekë, ndërsa këtë vit ai është rritur duke shkuar në shumën 2.594.851.000 lekë. Me këtë politikë MTKRS mendon të përmirësojë ato që nuk janë arritur një vit më parë në fusha të ndryshme. E ndërkohë që shifrat e buxhetit të përcaktuara nga Ministria e Kulturës megjithëse kanë në total një rritje krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, ai sërish që nuk do të jetë i mjaftueshëm për disa fusha apo sektorë të ndryshëm. Sektori i të rinjve duket që nuk do të ketë shumë mbështetje gjatë këtij viti, pasi në buxhetin e MTKRS është parashikuar një fond shumë i ulët për një prej fushave që kërkon më tepër vëmendje, kështu që sërish të rinjtë do të marrin më pak nga kjo ministri, ndërkohë që ka shumë projekte ku sërish Ministria e Kulturës pjesën më të madhe të vëmendjes së saj ia kushton fushave të artit dhe kulturës, të cilat janë parë si prioritare në buxhetin e vitit 2010. Tashmë pas kësaj ndarje pritet që të fillojnë dhe aplikimet për projekte të ndryshme, të cilat presin të gjejnë mbështetje nga kjo ministri.Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Merkure, 27 Janar 2010 22:46