MTPT: Rrugët janë të kalueshme

Ndonëse reshjet e borës kanë filluar qysh në mëngjesin e sotëm në vendin tonë, kjo nuk ka paraqitur ndonjë problem në trafik. Zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT) dhe ata të Policisë së Kosovës theksojnë se të gjitha rrugët janë të kalueshme duke përshirë edhe ato në pikat kufitare.
Xhevdet Pozhari, zëdhënës i MTPT-së, ka thënë për Kosovapress se MTPT-ja ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror, duke kontraktuar 10 kompani për pastrimin e rrugëve.
“Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit ka bërë të gjitha parapërgatitjet duhura për sezonin dimëror. MTPT-ja i ka kontraktuar 10 kompani, të cilat janë në rajone të ndryshme dhe makineritë e tyre janë në dispozicion 24 orë. Në bazë të informatave që kemi të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe do të punohet vazhdimisht që mos të paraqitet ndonjë problem”, ka theksuar Pozhari.
Edhe Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për Kosovapress se të gjitha rrugët janë të kalueshme, duke përfshirë edhe ato në pikat kufitare.
“Në bazë të informacioneve që kemi pranuar nga të gjitha drejtoritë rajonale mund të themi se të gjitha rrugët janë të kalueshme nga të reshurat atmosferike, duke i përfshirë edhe gjitha vendkalimet kufitare”, ka thënë Kelani.
Reshjet e borës kanë filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dhe janë duke vazhduar ende me një intensitet të vogël. (Kosovapress)