E Diel, 1 Nëntor 2026

"Çuna kemi zogjtë nga pas, ikni në shtëpi"

"Grabitësit e kasafortave"

Zbardhen përgjimet e prokurorisë për "hajdutët" e kasafortave, ku të akuzuarit orientojnë njëri- tjetrin se si do kryenin shpërthimin e dyerve

Një ditë përpara vjedhjes së ambasadës Daneze, autorët ishin në përgjim por mundën t'i shmangeshin policisë

TIRANË- Njësia e vëzhgimit në drejtorisë së Policisë në kryeqytet për tre muaj rresht me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka ndjekur, vëzhguar e përgjuar të dyshuarit që tashmë ndodhen në qeli për vjedhje të banesave, zyrave e bizneseve të ndryshme në vend.

Qëllim i anëtarëve të grupit ishte gjetja dhe marrja e vlerave të konsiderueshme monetare dhe veçanërisht në vëmëndjen e tyre ishin kasafortat. Gjithsesi të dyshuarit janë munduar t'iu shmangen komunikimeve telefonike.

Kështu, sipas hetimit pjesë të të cilit janë siguruar nga "Shekulli", mësohet se të arrestuarit: Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli, Dritan Duka, Taulant Mataj, Euklid Habili dhe Admir Burri janë treguar shumë të kujdesshëm gjatë komunikimit në telefon mes tyre.

Herë pas here "grabitësit" kanë sfiduar edhe forcat e policisë, duke ditur që ndiqeshin e vëzhgoheshin "hajdutët" nuk kanë ndaluar së vjedhuri banesa e kasaforta të zyrave e bizneseve të ndryshme.

Më datë 23 tetor 2009 policia pasi ka konstatuar se të arrestuarit Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli dhe Dritan Duka ndodheshin në afërsi të banesës së këtij të fundit.

Për të mos rënë në sy të policisë kanë përdorur telefonat për të komunikuar, fakt që është regjistruar nga zyra e përgjimeve. Rreth orës 02:26 minuta pas mesnatës së 23 tetorit, vetëm pak minuta para se të grabiteshin zyrat e ambasadës së Danimarkës, i akuzuari Elton Lika që me numër telefoni 06920...i telefonon numrit të Sulejman Bakallit 06729..., në të cilin përgjigjet i ndaluri Dritan Duka.

Gjatë bisedës ata flasin edhe për mënyrën se si të hapnin portat e Ambasadës.
"Si me levë e si pa levë, ajo bëhet o Tan..."-i thotë Lika kolegut të tij Duka, pak minuta para se të nisen për të kryer gabitjen e zyrave të Ambasadës së Danimarkës që ndodhet në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit".

Që nga momenti i komunikimit në telefon, punonjësve të policisë që po i vëzhgonin, "grabitësit" arritën t'iu humbnin nga sytë. Ndërkaq në mëngjes ishte njoftuar nga selia diplomatike e vendit nordik se zyrat e tyre ishin vjedhur.

Menjëherë policia ka nisur kërkimin e grabitësve që po i përgjonte, por nuk ka ndërhyrë për arrestimin e tyre në pritje të vjedhjes së radhës për t'i arrestuar në flagrancë.

Pas këtij krimi, ku u morën 1 mijë euro, dy kompjuterë portativë dhe sende të tjera, si viza e vula të kësaj Ambasade, autorët ia shitën një personi në Korçë që figuron në listën e dëshmitarëve të kësaj dosjeje. Gjithashtu, zyra e përgjimeve ka fiksuar me datë 5 dhjetor rreth orës 11:34 paradites një bisedë mes Sajmir Kuçit me nr.06945...dhe nr.06940...

Gjatë kësaj bisede dalin të dhëna për lëvizjet e shpejta të tyre, pasi së bashku me Elton Likën, Dritan Dukën dhe një person ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur zyrat e firmës "Fushaj".

Ndërkohë, në një bisedë tjetër të regjistruar mes Likës dhe Admir Burrit me datën 30 nëntor 2009, në orën 17:57 si dhe në orën 19:28 të po asaj date, Lika i telefonon Kuçit (i cili i ndërronte numrat e telefonit shumë shpesh) e informon për faktin se policia i di të gjitha por nuk ka prova.

"Në bisedën e datës 29 nëntor 2009 në ora 01:54 pas mesnatës Kuçi i ndodhur në bulevardin "Zhand Dark" i thotë në telefon Likës ndër të tjera se "...kishte zogjtë nga prapa..." duke nënkuptuar policinë"-thuhet në dosje. Në këtë bisedë Elton Lika e orienton Kuçin që të ikte në banesë dhe mos të lëvizte atë natë.

Të gjitha këto biseda e të tjera që ndodhen në dosje e që lidhen me raportet e shërbimit të policisë gjyqësore gjatë ndjekjes e vëzhgimit të të dyshuarve në datat e ndryshme si dhe me ndihmën e provave të tjera materiale, si procesverbalet e sekuestrimit të telefonave celularë të të dyshuarve.

Si dhe sende të vjedhura e të gjetura në banesat e të arrestuarve si gërshërët për prerje metali që janë vjedhur në banesën e shtetasit Agim Lika apo orën e dorës të tipit "Romanson" e sende të tjera me vlerë, si laptopët e shtetasve Florian Myshketa, Irma Kadumi.

Kështu, sipas pjesëve të hetimit nga i cili "Shekulli" ka siguruar, Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet e bazuar mbi këto prova të sjella nga prokurorët Anton Martini e Besnik Muçi, ka caktuar masat e sigurisë "arrest me burg" ndaj të ndaluarve Sulejman Bakalli, Admir Burri, Dritan Duka, Sajmir Kuçi, Elton Lika, Taulant Mataj dhe Euklid Habili.

Gjithashtu, togat e zeza, kanë vendosur që parashtrimet e avokatëve mbrojtës t'i cilësojnë si të pa bazuara në ligj. Sipas akuzës, nga administrimi i provave të grumbulluara ekzistojnë dyshime të forta se autorët e vjedhjeve të ndodhur më 22 shkurt, 30 mars; 28 prill, 2 tetor, 23 tetor; 3 nëntor, 11 nëntor, 6 dhjetor dhe 12 dhjetor të gjitha gjatë vitit 2009, janë të ndaluarit që i kanë kryer këto krime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

IDEATORËT

Prokuroria: Lika, Bakalli dhe Kuçi, organizatorë të vjedhjeve

TIRANË- Nga dosja që "Shekulli" ka siguruar del qartë se organi i akuzës ka krijuar bindjen e tyre mbi bazën e provave të grumbulluara se të arrestuarit nën hetim Elton Lika, Sajmir Kuçi e Sulejman Bakalli, përveçse kanë krijuar, drejtuar dhe organizuar këtë grup të strukturuar kriminal.

Pasi kanë qene përveçse vetë autorë të vjedhjeve, ishin edhe personat që përzgjidhnin objektet e vjedhjes, përgatitnin mjetet e thyerjes dhe transportin e sendeve të vjedhura.

Si pjesëtarë të grupit të vjedhjeve që merrnin pjesë direkt nën "urdhrat" e tre të lartpërmendurve, ishin edhe personat nën hetim Admir Burri, Taulant Mataj, Dritan Duka dhe Euklid Habili të cilët kishin role të përcaktuara gjatë bashkëveprimit me njëri-tjetrit gjatë vjedhjeve.

"Sipas një veprimtarie të qëndrueshme, pavarësisht lidhjeve shoqërore mes tyre, kjo veprimtari e kundërligjshme e bashkëpunuese mes tyre dyshohet se ka vepruar për një kohë të gjatë në drejtim të 9 objekteve të ndryshme.

Ata informoheshin për objektet mes personave të afërt e të njohur të tyre, për vendet e sigurimit të parave, ku gjenin mjetet për hapjen e objekteve dhe personat që kryenin transportin e kasafortave dhe sendeve të vjedhura",-thuhet në dosjen që "Shekulli" disponon.

MBROJTJA
Avokati Visha: Akuzat janë të pabaza

TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të të arrestuarve që ndodhen në qeli si të dyshuar për "vjedhje" të banesave apo kasafortave të bizneseve të ndryshme në kuadër të grupit strukturuar kriminal kanë kundërshtuar akuzat para togave të zeza, duke i cilësuar të sajuara nga policia dhe organi i akuzës.

Mbrojtësi ligjor Sajmir Visha që mbron interesat e njërit nga tre "ideatorët" e këtyre grabitjeve të ndaluarin Sajmir Kuçi i pyetur nga "Shekulli" për këto akuza shprehet se prokuroria dhe policia kanë ngritur akuza në bazë të thashethemeve dhe aludimeve.

"Nga ana e organit të akuzës në seancën gjyqësore të vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë nuk është paraqitur asnjë provë siç e kërkon ligji për të krijuar dyshime të arsyeshme, por, përkundrazi ndonëse edhe Gjykata e Shkallës së Parë ka insistuar disa herë që prokurorët të paraqesin ndonjë provë, ata janë shprehur se kemi vetëm përgjime telefonash, që në rastin e klientit tim, ai numër që pretendon akuza nuk ka qenë asnjëherë i Sajmir Kuçit.

Prokurorët aludojnë, se meqenëse klienti im fle gjumë gjithë ditën dhe natën shëtit kjo përbën për akuzën vepër penale dhe e implikon atë në grabitje"-theksoi avokati Sajmir Visha, duke shtuar se për vendimet e masave të sigurisë të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit do t'i drejtohemi me rekurs Gjykatës së Lartë.

PROVAT

Procesverbali i sekuestrimit të provave materiale të vjedhjes së datës 12 dhjetor 2009, si kasaforta e vlera monetare
Procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes;
Procesverbali i këqyrjes së automjetit të tipit "Benz" me targa TR 0287 T;
Procesverbali i arrestimit në flagrancë të shtetasve Taulant Mataj e Elton Lika;
Procesverbali i kontrollit personal të shtetasve Taulant Mataj e Elton Lika;
Procesverbal i deklarimit ndaj të cilit zhvillohen hetime të shtetasve Taulant Mataj e Elton Lika;
Urdhrat për ndalimin e shtetasit Sajmir Kuçi e të shtetasve të tjerë të ndaluar me datë 12 dhjetor 2009;
Vendimet e sekuestrimit të telefonave të të arrestuarve, të ndaluarve dhe shtetasve që dispononin numrat e telefonit për të cilët është disponuar me vendime të përgjimit si dhe të të afërmeve të të ndaluarve e arrestuarve;
Procesverbalet e kontrollit të banesave të tyre datë 12 dhjetor 2009;
Procesverbaleve të këqyrjes e marrjes dokumenteve të shtetasit Maksim Xhixho;
Raportet e shërbimit të Policisë Gjyqësore të datave 30 shtator 2009 të datës 29 tetor 2009;
Procesverbalet për transkriptimin e bisedave telefonike, komunikimeve mes njëri-tjetrit apo me persona të tjerë të paidentifikuar të datës 12 dhjetor, 4 nëntor, 23 tetor, 11 nëntor, 28 tetor, 26 tetor, 12 tetor, 14 tetor, 6 nëntor, 7 dhjetor, 6 tetor, 21 tetor, 23 nëntor, 6 tetor që të gjithë gjatë vitit 2009, së bashku me transkiptet përkatëse të datës 22 tetor 2009,
Proceverbalet e sekuestrimit të telefonave celulare të të dyshuarve, apo provave materiale (gërshërë për prerje metali në banesën e shtetasit Agim Lika, orë "Romanson" e sende me vlerë) lap-top i shtetasve Florian Myshketa, Irma Kadumi;
Procesverbali i këqyrjes e marrjes së provës materiale, kontrollit të banesës s shtetasit Maksim Xhixho,
Deklarimet e shtetasve Maksim Xhixho, Fitim Valishti, Irma Kodumi etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›