MUP-i bashkë me Policinë e Kosovës sigurojnë magjistralen e ‘Ibrit’!

Burime të Kosovapress-it në veri kanë bërë të ditur se që nga mëngjesi i hershëm i së dielës, pjesëtarë të MUP-it bashkërisht me ata të policisë së Kosovës, stacioni veri, janë duke siguruar magjistralen e ‘Ibrit’ që nga pika kufitare në Jarinje deri në jug të Mitrovicës. Ndërkaq, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se nuk kanë informacione për një gjë të tillë.
Sipas burimit, një urdhër i tillë ka ardhur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, e cila ka planin e saj të veçantë për eskortat që do të udhëtojnë sot për në Prizren në shugurimin e peshkopit Teodosije.
Burimi më tej ka specifikuar se frika e MUP-it të Serbisë për ndonjë sulm në eskorta, vjen pas vrasjes së një pjesëtari të komunitetit boshnjak, më 8 dhjetor në afërsi të Albanikut.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Kosovapress se nuk ka informacione se pjesëtarë të MUP-it serb bashkë me ata të policisë së Kosovës, stacioni veri, janë duke siguruar magjistralen e ‘Ibrit’ nga Jarinje deri në jug të Mitrovicës.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka përgatitur planin e sigurisë për të shoqëruar eskortat që sot vijnë nga Serbia për të marrë pjesë në shugurimin e peshkopit Teodosije në Prizren, dhe të cilat vijnë me leje të Qeverisë së Kosovës. /kosovapress/