E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza, në tutelë shefat e shërbimit

Personeli shëndetësor do të punojë vetëm 7 orë e gjysmë në ditë, por ditën e shtunë nuk duhet ta bëjë pushim

Masa të rrepta, por edhe ndryshime në metodën e punës së përditshme në spitalin e Tiranës. Pas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë për ndarjen e punës në mënyrë të barabartë, sidomos në sallën e kirurgjisë, edhe drejtoria spitalore ka mbështetur urdhrin, duke krijuar hapësira rregullatore, të cilat duhet të zbatohen, duke nisur nga sot. Për administratën, ky udhëzim i ri mund të duhet drobitës për administratën, e cila prej vitesh është mësuar të bëjë dy ditë pushim në javë. Kësaj here do të kemi kthim në të kaluarën dhe shefat e shërbimit, të cilët duhet të paraqiten në punë edhe ditën e shtunë. Sipas këtij urdhri, ata duhet të organizojnë punën javore dhe të afishojnë grafikun e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke ndarë punën dhe duke vendosur në radhë nga e hëna në të martë, të gjithë emrat e kirurgëve që do të mbajnë bisturinë në dorë sipas grafikut javor...

Shkresa zyrtare

Duke nisur nga kjo javë, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë orare të reja të personelit shëndetësor, por edhe shefave të shërbimeve. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Ilir Dashi, këto ndryshime bëhen për fokusimin më të mirë të punës në shërbime, por edhe për zbatimin e rregulloreve të vendosura deri më tani. “Duke filluar nga kjo e hënë dhe deri ditën e shtunë, i gjithë personeli shëndetësor është i detyruar të qëndrojë në pavijone dhe shërbime nga ora 08:00 deri në 15:30. Por kjo nuk të thotë që puna e tyre përfundon këtu, edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës, si nga shefi i pavijonit ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës”, deklaroi Dashi. Sipas tij, çdo ditë, stafi i shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8:00, nën drejtimin e shefit të shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon. Për pavijonet të cilat kanë salla të kirurgjisë, gjatë këtyre mbledhjeve do të bëhet edhe shpërndarja e operacioneve, sipas urdhrit të dalë vetëm një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Për të gjithë shkelësit e këtij rregulli, drejtoria e QSUT-së ka parashikuar masa si vërejtje, gjoba, por ndëshkimet që do të jepen do të përfshijnë edhe largime nga puna.

Urdhri

“Drejtoria do të organizojë kontrolle për zbatimin në vazhdimësi të këtij urdhri. Për moszbatim të tij do të merren masa konform Statutit të QSUT-së dhe Kodit të Punës”, thuhet në urdhër.
Ndërsa dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë lëshoi një urdhër, i cili hynte menjëherë në fuqi për kryerjen e operacioneve dhe ndarjen e punëve mes kirurgëve. Lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara, më parë do të përgatitet dhe do të afishohet në mënyrë të dukshme për pacientët dhe familjarët e tyre. Shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eliminuar në këtë mënyrë përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar. Kjo transparencë mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive, duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryejë operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet. Drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve do ta ndjekin me rigorozitet zbatimin e përpiktë të këtij urdhri, si dhe do të trajtojnë me përparësi çdo ankesë të qytetarëve lidhur me shërbimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›