M’Vila: Shqipëria? Mbaj mend golin dhe… pjesën e dytë!
Mesfushori i Renës, Jan M’Vila tregon se e ruan rrjetën në “Qemal Stafa” si kujtimin më të bukur me Francën, dhe nuk është dakord me ata që thonë se kuqezinjtë janë vetëm një formalitet. Ai mban mend 45 minutat e dyta
Që kur e ka grumbulluar, Loren Blank i ka dhënë shpesh besimin e tij Jan M’Vilas. Mesfushori i Ren ka ditur ta kapë shansin e tij duke u shndërruar menjëherë në një lojtar të pazëvendësueshëm. I ulur në një kolltuk të rehatshëm, Jan M’Vila pret që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. Padurueshmëria është e qartë te mesfushori i ri 21-vjeçar. Gjithnjë e më shumë i paprekshëm te blutë, ai nuk i shmanget asnjë pyetjeje. “Nuk do të gënjej: tani i bëj gjithnjë e më shumë pyetje vetes përpara se trajneri të deklarojë listën. Me blutë bëj si me Renën. Ditën që kam pasur besimin e trajnerit për të debutuar në Ligë 1 deri më tani me Loren Blankun. Gjithçka ka ikur kaq shpejt. Kam 13 ndeshje, pjesën më të madhe si titullar. Është gjigante për një të ri. Kur më japin besim, kam dëshirë që ta shpërblej këtë besim. Ende nuk jam stabilizuar ashtu siç duhet, por kam fituar shumë siguri. Nuk kam më frikë si dikur përpara se të merrja një vendim në fushë kur prisja të më thonin “gabo dhe do të humbasësh vendin”. Kjo më lejon të guxoj më tepër,” deklaron mesfushori i talentuar francez që më pas jep edhe preferencat e tij në lidhje me pozicionin se ku pëlqen të luajë dhe se do të dëshironte që të kishte në krah Alu Diarran, pasi prezenca e tij i jep më shumë besim. “Më parë kisha shumë dëshirë të luaja përpara mbrojtjes sepse prekja shumë topa. Por që të arrish përpara portës kundërshtare është e vështirë. Të luash me një tjetër rikuperues topash më lejon që të lëviz pak më përpara ose të shënoj. Kur shënova golin kundër Shqipërisë mu duk magjike. Ja kjo ishte. Me kombëtaren, ai gol është kujtimi im më i bukur. Diarra? Njerëzit janë shumë të ashpër me të. Në Shqipëri ai bëri një ndeshje shumë të mirë. Kur luaj me të, mund të ndihmoj sulmuesit pa frikë, sepse ai “ul qepenin” në mesfushë. Është një kapiten i madh, personi që e vlerësoj më shumë në kombëtare. Ai më këshillon gjatë gjithë kohës. Adhuroj kur më thotë “bukur, sot qenka për ne, asgjë nuk do kalojë”.
Më pas i vjen radha parashikimeve. Por për Jan M’Vilan asnjë skuadër nuk duhet nënvlerësuar. “Ne kemi luajtur ndeshje të vështira në Shqipëri dhe në Rumani apo në Bosnje. Këto janë ndeshje vetëm për turizëm. Na mësojnë që të jemi ambiciozë dhe të synojmë sa më lart. Bosnja ishte vetëm pika e referimit për ne brezin e ri dhe atë ditë kuptuam që kishim vlera”, - thekson ai duke mëshuar fort faktit se tanimë Franca është një kombëtare e re. Në fund, i vjen radha edhe Shqipërisë. M’Vila ka kujtime të bukura në ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” pasi ka shënuar golin e parë me përfaqësuesen dhe e ka arkivuar atë moment si kujtimin e tij më të bukur me fanellën blu. “Shqipëria është një ekip shumë i mirë! Ne e mbajmë mend se çfarë na bëri në pjesën e dytë. E kemi shumë të freskët në kokë dhe askush të mos e cilësojë këtë ndeshje si një formalitet përpara Bosnjes”, - përfundon Jan M’Vila, mesfushori i Renës.