E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA: Bastet e paligjshme, problemi më i madh

UEFA vazhdon betejën e ashpër me bastet e paligjshme, që sipas sekretarit të përgjithshëm të qeverisë europiane të futbollit, Xhani Infantino, janë problem më i madh i sportit. Numri dy i UEFA-s ka prekur edhe një herë këtë temën të nxehtë nga Anglia, duke u shprehur se tentakulat e rrjeteve kriminale që paracaktojnë rezultatet kanë shtrirë tentakulat në të gjithë botën, megjithëse deri tani nuk kanë arritur të komprometojnë ndeshjet e rëndësishme apo skuadrat e mëdha. “Për fat të keq, ky efekt është kthyer në një problem ndërkombëtar. Shumë vende në Europë dhe në botë janë prekur nga bastet e paligjshme dhe këtë e konfirmojnë Turqia, Greqia dhe Italia. Ne po monitorojmë të 29 mijë ndeshjet sezonale të divizioneve të para dhe të dyta. Mund të them vetëm se bastet e paligjshme nuk kanë arritur te ndeshjet e rëndësishme dhe të kompeticioneve më të mëdha”, - ka thënë Infantino. Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s ka përsëritur edhe një herë kërcënimin që pak ditë më parë kishte bërë edhe presidenti Michel Platini. Asnjë tolerancë për skuadrat apo personat që përfshihen në rrjetin e basteve të paligjshme. “Nëse dikush përpiqet të trukojë rezultatin e ndeshjeve, atëherë ai do të largohet përjetë nga futbolli. E njëjta gjë vlen edhe për skuadrat”, - ka përfunduar Xhani Infantino. UEFA vazhdon të hetojë skandalet e fundit të basteve që përfshinë kampionate të rëndësishëm të Europës, si në Itali, Greqi apo Turqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›