E Diel, 1 Nëntor 2026

Blank: Me Shqipërinë përmirësojmë rekordin

SHKRUAN: Jeton Selimi 07-10-2011 15:37

Është shfaqur shumë i relaksuar trajneri i kombëtares së Francës, Loren Blank, në konferencën e djeshme për shtyp. Ndonëse sot në mbrëmje ai do të ketë një ndeshje me Shqipërinë, mendimi në të vërtetë është i spostuar për në përballjen vendimtare me Bosnjen. Duke parë edhe numrin e madh të dëmtimeve, është pikërisht ndeshja me skuadrën e Safet Sussic më e rëndësishmja për të gjithë Francën e futbollit. Megjithatë, ata kanë ndërmend që të vijojnë rekordin e tyre. 13 ndeshje pa humbje, mund të bëhen 14 sot dhe 15 të martën, kështu që objektivi i Francës për ndeshjen me kuqezinjtë është i qartë.

Blank, duke e ditur se një fitore me Bosnjën ju kualifikon automatikisht, çfarë rëndësie ka kjo ndeshje me Shqipërinë?

Përderisa kemi dy ndeshje për të luajtur, ne themi gjithnjë se e para justifikon të dytën. Ne kemi një seri për të ndjekur, bëhen disa ndeshje pa humbje (13) dhe luajmë përpara publikut tonë. Vetëm për këto arsye duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Vetëm

pas kësaj do të kemi kohën për të menduar për Bosnje n.

Me dëmtimet e shumta që kanë goditur efektivin tuaj, si do ta përgatisni këtë ndeshje?

Ka qenë një përgatitje e zakonshme, por më e komplikuar. Na është dashur të ruanim qetësinë, të shikonim çdo gjë deri të mërkurën në mëngjes. I kishim parashikuar disa goditje të tilla. Kur pamë lojtarët të mbërrinin dhe që nuk ishin në formën e tyre më të mirë fizike, u detyrova që më shumë të bëja rolin e psikologut sesa të trajnerit. Ne shpresojmë që të gjithë të jenë në formën e tyre më të mirë nesër (sot) në darkë.

U keni folur lojtarëve tuaj për vitin 1993, apo keni frikë ta bëni?

Jo, nuk e kisha futur këtë kapitull në listën e përgatitjeve. Duke parë ujëvarën e dëmtimeve, kishim të tjera gjëra për të bërë. Pastaj, nuk u kam folur edhe për një arsye të thjeshtë: përveç meje, ndonjë elementi të stafit dhe jush, lojtarët nuk e kanë në kujtimet e tyre atë që ka ndodhur. Është një gjeneratë tjetër. Nuk peshon më kjo gjë.

Ju keni deklaruar të hënën se 4-4-2 është një sistem që nuk ekziston më në nivele të larta. Megjithatë, duket se jeni të gatshëm që të përshtatni këtë skemë…

Është çështja më e madhe në këtë moment. Ju pretendoni se ne do të luajmë me një 4-4-2, por 4-4-2 tuaj mund ta kthej shpejt në një 4-3-3. Ja, kështu flitet, mendohet, por më e rëndësishmja ka të bëjë me përshtatjen dhe efikasitetin.

Një fjalë për Samir Nasri pas deklaratave të tij në konferencën për shtyp. Çfarë keni menduar në lidhje me të?

Duhet të shfrytëzojmë gjithçka për të qenë më të mirë, por unë, ajo që unë dua, është që të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen. Ai ka bërë një bisedë më të pranueshme sesa ajo që unë dëgjova para një muaji. Është një formë inteligjence, qëndrimi i tij më pëlqen shumë sesa ajo që ai kishte bërë kohët e fundit. Por po jua them, po jua përsëris juve dhe atij: nuk ka asnjë problem mes nesh!”

Zyrtare, Abidal nuk luan ndaj kuqezinjve

Në prag të ndeshjes Francë-Shqipëri, ka qenë trajneri Loren Blank që ka konfirmuar mungesën e mbrojtësit të Barcelonës, por shpreson që ta ketë gati për ndeshjen me Bosnjen. “Kemi shumë të dëmtuar në mbrojtje, – arsyeton Loren Blank në konferencën për shtyp të zhvilluar ditën e djeshme. - Në një nivel të tillë, nuk mund t’i lejojmë vetes që të kemi mungesa të kësaj natyre. Megjithatë, ne shpresojmë që ta rikuperojmë Erik Abidalin për ndeshjen e së martës. Ka pasur shumë ndryshime me këta lojtarë”. Abidal u dëmtua në një ndeshje me Barcelonën kundër Zaragozës.

Loris: Shiriti? Asgjë nuk është vendosur

Me mungesën e Alu Diarras në përfaqësuesen e “gjelave” është shndërruar në çështje edhe shiriti i kapitenit. Duke qenë se Patris Evra është përjashtuar nga kjo detyrë pas skandalit të Kupës së Botës 2010, të gjithë besojnë se do të jetë portieri i Olimpik Lionit, Hugo Loris, njeriu që do të mbajë shiritin në krah. Megjithatë, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ai deklaroi se asgjë nuk është vendosur. “Më thirrën mua në konferencë, por nuk është vendosur asgjë për shiritin e kapitenit. Këtë do ta caktojë trajneri, por shiriti nuk u heq përgjegjësinë të tjerëve”.

Grupi D

Sot

Bosnje – Luksemburg 20:00

Rumani – Bjellorusi 20:30

Francë – Shqipëri 21:00

Të martën

Francë – Bosnje 21:00

Shqipëri – Rumani 21:00

Renditja

Skuadra N F B H P

1) Franca 8 5 2 1 17

2) Bosnja 8 5 1 2 16

3) Rumania 8 3 3 2 12

4) Bjellorusia 9 3 3 3 12

5) Shqipëria 8 2 2 4 8

6) Luksemburg 9 1 1 7 4

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›