E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia në Ballkan, biznes i zakonshëm?

Ardhja e rusëve në Perëndim për një kohë të gjatë tingëlloi si kërcënim. Ajo nënkuptonte tanket në Lindje gati për marshim në Europën Perëndimore. Ky urdhër nuk erdhi kurrë. Por rusët erdhën vërtet në Europë. Aktivitetet më të reja ekonomike të Rusisë në Ballkan nuk mund të kalojnë pa u vënë re, të paktën përsa i takon sektorit të energjisë. Me Bullgarinë dhe Greqinë është rënë dakord për ndërtimin e një tubacioni nëntokësor nafte, në Serbi industria e naftës i është shitur kompanive ruse “Gasprom”, “Neft” dhe “Lukoil” dhe të tria vendet marrin pjesë në projektin e sistemit të ardhshëm South-Stream për transitin dhe lëvrimin e gazit nëntokësor rus në BE. Edhe rafineria “Bosanski Brod”, që ndodhet në pjesën serbe të Bosnjës, bën pjesë ndërkohë në kompaninë ruse “Neftegazinkor”. Një zhvillim i kuptueshëm dhe logjik nga pikëpamja ekonomike mendon Roland Gwc, ekspert për Rusinë në Fondacionin Shkencë dhe Politikë nga Berlini: “Është fare normale që një vend si Rusia kujdeset për marrëdhëniet me fqinjët e afërt dhe të largët. Dhe nuk është rastësi që investimet e Rusisë bëhen në radhë të parë në sektorin e energjisë. Firmat energjetike ruse janë nga më të fuqishmet dhe mund të investojnë pasi kanë mjetet e nevojshme financiare. Ato kanë interes në radhë të parë në sektorë ku bëhet fjalë për ngritje sistemesh tubacioni, linjash përçuese dhe rezervuarësh. Kjo ka të bëjë me faktin që Ballkani ka një lloj funksioni transiti për firmat ruse të sektorit të energjisë, për naftë dhe gaz”. Kush i druhet varësisë nuk duhet të harrojë se veçanërisht sektori i energjisë është statik dhe nuk mund të ndryshohet lehtë pasi janë ngritur tubacionet e naftës apo gazit. Por vendet e Ballkanit gjykojnë në mënyrë kontradiktore. Nga njëra anë fondet e investitorëve rusë janë të mirëpritura dhe nga ana tjetër shtohet shqetësimi për rrezikun e ushtrimit të presionit politik.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›