E Diel, 1 Nëntor 2026

Uarren Bufet, ish-shitësi i gazetave, njeriu më i pasur në botë

Personi më i pasur në botë nuk është më Bill Gejts, por Uarren Bufet. Sipas revistës ekonomike “Forbes”, vlerat e aksioneve “Berkshire Hathawëay” i siguruan Bufetit një pasuri me vlerë 62 miliardë dollarë. Vetëm brenda një viti biznesmeni Bufet ka shtuar pasurinë e tij prej 10 miliardë dollarësh, duke e zëvendësuar kështu supermiliarderin Gejts, i cili kryesonte në top-listën e njerëzve më të pasur në botë për dhjetë vjet me radhë. Pasuria e Gejts vlerësohet në 58 miliardë dollarë, vlerë që kësaj radhe i siguroi vetëm vendin e tretë në mesin e më të pasurve në botë. Tentimi i parakohshëm i kompanisë së tij “Mikrosoft” për të blerë gjigantin e internetit “Yahoo”, siç duket ka ndikuar në uljen e aksioneve të kompanisë së Gejtsit. Është interesant fakti se Gejt gjysmën e pasurisë së përgjithshme të tij e ka investuar në aksione jashtë kompanisë së tij “Mikrosoft”. Vendi i dytë në listën e personave më të pasur në botë i takon biznesmenit meksikan nga fusha e telekomunikacionit, Karlos Slim, me një pasuri prej 60 miliardë dollarësh. Brenda vetëm një viti ai ka fituar 11 miliardë dollarë. Bufet, i cili kur ka qenë fëmijë ka shitur gazeta, tashmë është aksionari më i madh në kompanitë e sigurimit, në gurët e çmueshëm dhe ushqim, duke pasur aksione në “Anheuser-Busch”, “Coca-Cola”, “Wells Fargo” dhe “Kraft – Foods”. 1125 janë në total njerëzit në botë, të cilët janë përfshirë në listën e miliarderëve, që është një ngritje goxha e lartë krahasuar me 946 persona që ishin vitin e kaluar në këtë listë.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›